Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodjan Braho mori pjesë sot në Konferencën e 42-të të Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, ku theksoi se “në Shqipëri kemi bërë përparim në hetimin dhe goditjen e krimit të organizuar”.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Brendshme Ervin Demo, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita, drejtuesit e agjencive ligjzbatuese, presidenti Ndërkombëtar i FBINAA dhe ambasadorja në detyrë dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.
Në fjalën e tij Braho tha se “nga hetimet tona kemi fituar njohuri mbi mënyrën se si organizohen grupet kriminale, si krijojnë lidhje përtej kufijve dhe se si fshehin dhe lëvizin profitimet e tyre. Këto njohuri mund të ndihmojnë dhe hetimet që zhvilloni në vendet tuaja”.
“Për SPAK-un, bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve, me të njëjtin seriozitet që presim për kërkesat tona. Një informacion që sigurojmë në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje në vendin tuaj, një provë që vjen prej jush mund të jetë vendimtare për një hetim që zhvillohet në Shqipëri. Pikërisht në këtë punë të ndërsjellë ndërtohet besimi dhe dëshmohet se mund të mbështetemi te njëri-tjetri”, tha Braho.
Kreu i SPAK falënderoi veçanërisht FBI-në dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen dhe ekspertizën.
“Angazhimi ynë është t’ju përgjigjemi me të njëjtën përgjegjësi dhe me të njëjtin seriozitet. Uroj që nga këto ditë në Tiranë të merrni me vete ide të dobishme për punën tuaj dhe të njohni kolegë të cilëve mund t’u drejtoheni nesër me besim”, tha Braho.
Më tej Braho u shpreh se për SPAK-un, bashkëpunimi ndërkombëtar është pjesë thelbësore e punës sonë. Një hetim mund të nisë në Tiranë, ndërsa komunikimet, transfertat bankare, pasuritë që kërkojmë të gjurmojmë na çojnë në disa shtete të tjera”.
“Në këto raste, përparimi i hetimit varet dhe nga kolegu që kupton kërkesën tonë, e trajton atë me përgjegjësi dhe na ndihmon të sigurojmë provën që na mungon. Besoj se shumë prej jush e njohin mirë këtë përvojë, e dini se çfarë rëndësie ka të njohësh institucionin te i cili i drejtohesh dhe të kesh besim te profesionistët që punojnë atje. Këtu qëndron dhe vlera e shtuar e këtij rrjeti”, nënvizoi Braho.
Kreu i SPAK vuri në dukje se përvoja e përbashkët në Akademinë Kombëtare të FBI-së krijon marrëdhënie që vijojnë gjatë edhe pas përfundimit të trajnimit.
“Ky rrjet i mban ato aktive dhe ndihmon që njohja mes kolegëve të kthehet në bashkëpunim konkret. Këtij komuniteti profesionistësh i është bashkuar tashmë edhe diplomori i parë nga Byroja Kombëtare e Hetimit, krah kolegëve të shumtë nga Policia e Shtetit dhe nga institucionet e tjera ligjzbatuese shqiptare”.
Së shpejti, vijoi Braho, programin do ta ndjekë edhe përfaqësuesi i dytë i BKH-së.
“Ky përfaqësim na nderon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për të ndarë përvojën e fituar me kolegët tanë.
