📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

🌙 Dark
Contrast
🔄 Invert
Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Braho 2 1024x575

Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, ishte i pranishëm këtë të mërkurë, 1 korrik, në Kryesinë e Kuvendit, ku u mbajt dhe komisioni për realizimin e reformës zgjedhore.

Braho sqaroi se SPAK heton vetëm dy veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv në zgjedhje, ndërsa shkeljet e tjera zgjedhore trajtohen nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, përveç rasteve që lidhen me zyrtarë të posaçëm ose krimin e organizuar. Ai theksoi gjithashtu se jo çdo pretendim apo parregullsi gjatë zgjedhjeve përbën vepër penale apo hyn në kompetencën e SPAK.

“Kodi Penal, në Kreun X, parashikon veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Ky kre përmban 15 vepra penale. Referuar nenit 75/a, paragrafi i parë, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, SPAK ka kompetencë lëndore vetëm për ushtrimin e ndjekjes penale për veprat penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje dhe korrupsionit pasiv në zgjedhje, të parashikuara nga nenet 328 dhe 328/b të Kodit Penal. Ndërsa veprat e tjera penale që lidhen me krimin zgjedhor, në parim, i përkasin prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Përjashtim bëjnë rastet kur fakti penal lidhet me subjektet e posaçme apo kur vepra penale është kryer nga krimi i organizuar.
Po ashtu, duhet shmangur keqkuptimi se çdo pretendim publik, çdo deklarim politik apo çdo informacion i përcjellë gjatë periudhës zgjedhore mund të përkthehet automatikisht në procedim penal nga SPAK apo në një akuzë penale. Jo çdo shkelje zgjedhore është në kompetencën tonë dhe jo çdo parregullsi gjatë procesit zgjedhor përbën vepër penale.
 Megjithatë, jemi të ndërgjegjshëm se pritshmëria publike ndaj SPAK-ut në këtë fushë është shpesh më e gjerë se kompetenca ligjore e institucionit. Kjo lidhet edhe me nivelin e lartë të besimit të qytetarëve te puna dhe integriteti i SPAK-ut. Pikërisht për këtë arsye, çdo informacion i administruar është vlerësuar me seriozitet, por gjithmonë brenda kufijve të kompetencës, standardit të provës dhe kërkesave të Kodit të Procedurës Penale”, u shpreh ai.

Kreu i SPAK u shpreh se nga analizimi i tre proceseve të fundit zgjedhore rezultojnë problematika të përsëritura, si shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve, përdorimi i burimeve shtetërore dhe financimi i fushatave. Sipas tij, gjetjet e OSBE/ODIHR nuk përbëjnë prova penale, por shërbejnë si tregues risku për të orientuar parandalimin dhe hetimet.

“Nga vlerësimi i tre cikleve zgjedhore të zhvilluara gjatë periudhës së funksionimit të SPAK, konkretisht zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, zgjedhjet vendore të vitit 2023 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, shfaqet një panoramë e qartë e problematikave që përsëriten në këtë fushë. Raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it për Shqipërinë kanë evidentuar në mënyrë të përsëritur shqetësime që lidhen me shitblerjen e votës, presionin ndaj zgjedhësve dhe punonjësve publikë, përdorimin e burimeve administrative, financimin e fushatës, si dhe nevojën për reagim efektiv nga institucionet ligjzbatuese. Këto konstatime duhet të lexohen me seriozitet dhe kujdes profesional. Ato nuk janë, në vetvete, konstatime penale për fajësinë e individëve të caktuar. Por ato janë indikatorë të rëndësishëm risku, që ndihmojnë institucionet të kuptojnë se ku duhet të përqendrohet parandalimi, monitorimi, verifikimi dhe hetimi penal“, u shpreh kreu i SPAK.

Braho theksoi se nga viti 2021 deri në 2025, SPAK ka trajtuar 233 materiale për krime zgjedhore, prej të cilave 157 janë regjistruar si procedime penale. Sipas tij, rastet shtohen në vitet zgjedhore, ndërsa përvoja e krijuar çoi në hartimin e një strategjie për zgjedhjet e vitit 2025, me fokus parandalimin e hershëm dhe hetimin e koordinuar të krimit zgjedhor.

“Për periudhën 2021 deri në 2025, SPAK ka trajtuar gjithsej 233 materiale zgjedhore. Nga këto 157 janë regjistruar si procedime penale. Këto të dhëna tregojnë se, pavarësisht kufirit të kompetencës së drejtpërdrejtë të SPAK, volumi i materialeve të administruara në këtë fushë ka qenë i konsiderueshëm.
Në vitin 2021 u regjistruan 63 procedime penale, në vitin 2022 u regjistruan 5 procedime penale, në vitin 2023 u regjistruan 36 procedime penale, në vitin 2024 u regjistruan 7 procedime penale, ndërsa në vitin 2025 u regjistruan 46 procedime penale. Për vitin 2026, deri më sot, janë regjistruar 2 procedime penale.
Këto shifra tregojnë dy elemente të rëndësishme. Së pari, krimi zgjedhor shfaqet me intensitet më të lartë gjatë viteve zgjedhore, por hetimi i tij nuk kufizohet vetëm në periudhën e fushatës apo në ditën e votimit. Së dyti, një pjesë e konsiderueshme e punës së SPAK lidhet me vlerësimin fillestar të kompetencës, me dallimin ndërmjet shkeljes administrative dhe faktit penal, me verifikimin e burimit të informacionit dhe me identifikimin e rasteve ku ekzistojnë elemente konkrete për regjistrimin e procedimit penal. Në këtë këndvështrim, përvoja e viteve 2021 deri në 2024 shërbeu si bazë për një qasje më të strukturuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Pikërisht për këtë arsye, në funksion të rekomandimeve të Kuvendit dhe të gjetjeve të përsëritura të OSBE/ODIHR-it, SPAK-u miratoi dhe zbatoi Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin 2025, me synimin që reagimi institucional të mos ishte vetëm pas kallëzimit, por më i hershëm, më i koordinuar dhe më i orientuar nga risku”
, u shpreh ai.

Zgjedhjet e 11 majit, Braho: U administruan 194 materiale, 46 procedime penale të regjistruara

Strategjia e SPAK për hetimin dhe parandalimin e krimit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 shënoi kalimin nga një model reagues, i bazuar kryesisht te kallëzimet, drejt një qasjeje më të strukturuar, parandaluese dhe të orientuar nga analiza e riskut.

Kështu u shpreh Braho, gjatë prezantimit të të dhënave mbi luftën kundër krimit zgjedhor. Sipas tij, strategjia nuk synon të zgjidhë përfundimisht fenomenin e krimit zgjedhor, por të forcojë reagimin institucional përmes identifikimit të hershëm të rasteve me risk.

“Strategjia e vitit 2025 ishte një hap i parë për ta kaluar SPAK-un nga një model kryesisht reagues, të bazuar te kallëzimet, drejt një modeli më të strukturuar, më parandalues dhe më të orientuar nga analiza e riskut.”

Kreu i SPAK bëri të ditur se për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë administruar 194 materiale, sinjalizime, kallëzime dhe referime për dyshime mbi krime zgjedhore. Nga 46 procedimet penale të regjistruara, 47.8% janë nisur pas referimeve nga Policia e Shtetit, 23.9% janë iniciuar kryesisht nga SPAK, ndërsa 28.3% kanë ardhur nga kallëzimet e qytetarëve, prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, subjekteve politike dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

“Dallimi kryesor i vitit 2025 ishte se institucioni nuk priti vetëm ardhjen e kallëzimeve. Ai u përpoq të lexojë riskun më herët, të koordinojë informacionin më shpejt dhe të orientojë reagimin sipas kompetencës dhe provave.”

Sa i përket ecurisë së çështjeve, SPAK njoftoi se nga procedimet e regjistruara në vitin 2025, pesë dosje me nëntë të pandehur janë dërguar për gjykim, nëntë janë kërkuar të pushohen, pesë janë transferuar për kompetencë te prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, një është pezulluar, katër janë bashkuar me procedime të tjera, ndërsa 22 mbeten ende nën hetim.

Gjithashtu gjatë vitit 2026 janë dënuar shtatë persona për vepra penale që prekin zgjedhjet, duke theksuar se proceset gjyqësore vazhdojnë edhe pas përfundimit të ciklit zgjedhor.

Në analizën e tij, Braho ngriti edhe nevojën për rishikimin e politikës penale ndaj krimeve zgjedhore. Sipas tij, dënimet aktuale, me një mesatare prej rreth 13 muajsh burg dhe me përdorim të shpeshtë të alternativave ndaj burgimit, mund të mos kenë efektin e nevojshëm parandalues për një fenomen që cenon integritetin e procesit zgjedhor.

“Një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor.”

Braho, deklaroi se përvoja e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 tregon se reforma zgjedhore duhet të prodhojë tre rezultate konkrete për të rritur efektivitetin në luftën kundër krimit zgjedhor.

Sipas tij, hapi i parë është hartimi i një Strategjie Kombëtare për Parandalimin, Identifikimin dhe Hetimin e Krimit Zgjedhor, e cila do të përfshijë të gjitha institucionet përgjegjëse dhe jo vetëm organet e ndjekjes penale.

“Përvoja tregon se krimi zgjedhor nuk është vetëm çështje e një institucioni dhe nuk trajtohet vetëm nëpërmjet reagimit penal pas kallëzimit. Ai kërkon një qasje të integruar, ku parandalimi, monitorimi administrativ, raportimi qytetar, verifikimi policor, hetimi penal dhe kontrolli financiar të funksionojnë si pjesë e të njëjtit mekanizëm institucional.”

Ai kërkoi gjithashtu që protokolli aktual i bashkëpunimit ndërinstitucional të mos mbetet një mekanizëm i përkohshëm për periudhat zgjedhore, por të kthehet në një instrument të përhershëm, të parashikuar në ligj. Sipas tij, në këtë mekanizëm duhet të përfshihen, përveç SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së, edhe Policia e Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe institucionet e tjera ligjzbatuese.

Një tjetër propozim i kreut të SPAK lidhet me rishikimin e politikës penale për format më të rënda të krimit zgjedhor

“Individualizimi i dënimit duhet të diferencojë zgjedhësin vulnerabël, përfaqësuesin e subjekteve politike, kandidatin, financuesin e fushatës, zyrtarin e lartë apo nëpunësin publik. Sa më i lartë të jetë roli organizues, politik, administrativ ose financiar i personit, aq më i qartë duhet të jetë edhe reagimi penal.”

Strategji për parandalimin e krimeve zgjedhore, Braho: SPAK nuk ka grup në terren për mbledhjen e provave

Kreu i SPAK deklaroi se ky institucion nuk disponon ende një strukturë të veten për mbledhjen e provave në terren, ndaj hetimet varen edhe nga bashkëpunimi me institucione të tjera.

Ai tha se synimi është ngritja e një trupe të specializuar për hetime në terren, ndërsa theksoi se gjatë zgjedhjeve të vitit 2025 SPAK kaloi nga një rol pasiv në një qasje më proaktive në identifikimin e krimeve zgjedhore.

“Raporti që përmendëm është kontribut jo vetëm i SPAK, por edhe dy institucioneve të tjera, produkti do të jetë i gatshëm brenda datës 30 shtator 2026. Task Forcë ishte e SPAK dhe e Byrosë, nuk u përfshinë institucione të tjera. Unë e thashë edhe më përpara, ishte një eksperiencë e parë e SPAK dhe shumë gjëra ishin të panjohura dhe u përballëm edhe me eksperienca të tjera. SPAK nuk ka një grup të vetin për mbledhjen e provave në terren dhe kjo e kushtëzon shumë SPAK në mbledhjen e provave, varet nga institucione të tjera. SPAK synon që në një periudhë kohore të rekrutojë trupa dhe që të kryejë vetë në terren këto hetime. Pjesa tjetër që nuk funksionoi nuk lidhet vetëm me pjesën organizative. Çfarë funksionoi, duke marrë parasysh edhe zgjedhjet e tjera, SPAK nuk ishte në pritje. Nuk jemi më pasivë siç ishim më përpara, por i referohemi grupit në terren”, u shpreh ai.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights