Partia Demokratike ka vendosur të mos jetë pjesë e seancës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediet bëhet me dije se PD nuk merr pjesë në seancë për sa kohë nuk diskutohen kërkesat e protestuesve.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, e cila vijon të pengojë opozitën në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe në përmbushjen e detyrimit për të përfaqësuar interesin e qytetarëve.
Të martën, duke përdorur forcën e kartonave, mazhoranca refuzoi kërkesën për llogaridhënie nga Kryeministri dhe zhvillimin e një debati parlamentar mbi kërkesat legjitime të qytetarëve, të cilët protestojnë prej më shumë se një muaji, si edhe mbi konstatimet dhe rekomandimet e Rezolutës së Parlamentit Europian të miratuar pak ditë më parë.
Në vijim të kësaj qasjeje bllokuese, dje, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca miratoi kalendarin e punimeve të Kuvendit deri në përfundim të këtij sesioni parlamentar, pa përcaktuar datën e shqyrtimit të katër projektligjeve të depozituara prej rreth një muaji nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike”, shkruan PD.
