Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga dera e SPAK, ku më herët u paraqit në respektim të masës së sigurisë ndaj tij, u ndal te zhvillimet e protestës në vend.
Berisha tha kjo revoltë është shpërthimi i shoqërisë, por ndërkohë akuza hodhi sërish ndaj SPAK, duke thënë se është “shndërruar në një organizatë politike”.
“Revolta është shpërthimi i Shqipërisë, por në këtë mes ky institucion kushtetues mund të kishte luajtur një rol shumë të rëndësishëm në interesin e shqiptarëve dhe Shqipërisë, por ky institucion është shndërruar në një organizatë partie. Ka gëzuar mbështetjen më të madhe ndërkombëtare.
Keni parë ministra të jashtëm, zyrtarë të lartë të disa vendeve të vijnë dhe të shprehin mbështetje për misionin e tyre, kurse këta ishin dhe mbeten një organizatë e shpifur e PS”, tha ai.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, në lidhje me akuzën që Edi Rama bëri sot ndaj tij, duke thënë se “kërkon një 21 janar të dytë”, Berisha dha këtë përgjigje:
Zjarrvënësi më i madh i historisë së kombit është padrino Edi Rama. Është ai që ka djegur dhe shkatërruar ëndrrat gjatë pushtetit të tij të rreth 720 mijë të rinjve shqiptarë. Vlerësoni duke bërë krahasimet.
Berisha u ndal edhe te kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit në Kuvend të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke thënë se mbrohet nga qeveria dhe Edi Rama.
“A ka mungesë legjitimiteti më të madhe se të mos heqësh mandatin e lubi Ballukut? Ata që djegin Shqipërinë është Edi Rama”, u shpreh kreu i PD.
Kreu i selisë blu tha se PD do të “mbështesë më gjithë forcë këtë revoltë deri në fitoren e saj”.
