WhatsApp Image 2026 03 02 at 10.25.14 696x464

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme gjatë një prononcimi për mediet e cilësoi ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin si “armikun e votës së lirë të shqiptarëve”, ndërsa shtoi se “krimi antikushtetues do marrë ndëshkimet më të rënda”.

Berisha gjithashtu u pyet edhe në lidhje me për sulmin gjatë protestës në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në ish-Bllok, e cila është kthyer në një rezidencë për artistë të huaj dhe shqiptarë. Berisha u shpreh se ndjen keqardhje për ata që kanë qenë aty dhe i siguroi se “ata nuk kanë qenë kurrë objekt i atyre që i kanë hedhur ato mjete piroteknike”.

Sipas tij, protestuesit nuk e kanë ditur se aty ishin artistë të huaj.

“Ajo mund të ishte muze i torturave çnjerëzore, por qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është një fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar barbarisht për vlerat themelore të njeriut, për 40 mijë të internuar, për 120 mijë të persekutuar”, u shpreh Berisha.

“Megjithatë me këtë unë nuk justifikoj fare dhe prania e atyre dy të huajve është keqardhje e madhe për mua”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha se protestat e PD-së janë paqësore dhe  disa elementë piroteknike janë shprehje e urrejtjes ndaj Edi Ramës.

“Do jenë paqësore dhe kjo është zgjidhje, jo imponim, por ky është besimi ynë. Po, janë përdorur mjete piroteknike, të cilat ju i quani bomba molotov, por nuk ka një njeri të plagosur prej tyre. Asnjë. E para, nuk ka një polic të plagosur. Kemi njerëz të qëlluar në kokë me plumb gome, jo një, por disa, kemi shumë probleme por ne qëndrojmë në protestat pa dhunë. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë protestat tona pa dhunë”, theksoi kreu i PD-së.

Gjatë fjalës së tij, Berisha gjithashtu akuzoi gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjokën, e cila është gjyqtarja paraprake e dosjes për të cilën akuzohet, se është dënuar në shtetin grek.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights