Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është deformuar nga qeveria dhe, sipas tij, është kthyer në një proces okult dhe të mbyllur.
I pyetur nga gazetarët lidhur me deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se opozita përbën një specie unike që po bllokon integrimin, Berisha u shpreh se opozita po e ndihmon procesin në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme.
“Opozita po ndihmon procesin e integrimit në mënyrën më serioze. Opozita ka pasur një betejë shumë të fortë. Ka zhvilluar një betejë shumë të fortë dhe është krenare se ia ka dalë të përmbysë mashtrimet e qeverisë dhe lobingjeve korruptive dhe të tregojë të vërtetën e realitetit shqiptar si rruga e vetme për një proces integrimi”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se procesi i integrimit duhet të bazohet në meritë dhe standarde të qarta, duke iu referuar edhe rekomandimeve të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian.
Sipas tij, pengesë për integrimin nuk është opozita, por qeveria.
“Rrugën për në BE ia mbyllin Shqipërisë ata që mbrojnë vjedhjet e qytetarëve shqiptarë. Ata që shndërrojnë zgjedhjet në farsë, duke shkrirë në një institucionet e shtetit me strukturat e partisë. Ata janë faktorët që pengojnë dhe vështirësojnë integrimin e Shqipërisë në BE. Janë ata, të cilët bëjnë çdo gjë për ta shndërruar procesin më themelor të shoqërisë shqiptare sot në një proces okult”, u shpreh ai.
Berisha akuzoi gjithashtu Kryeministrin Edi Rama për mungesë transparence në procesin e integrimit, duke deklaruar se ai fsheh rekomandimet dhe sugjerimet e institucioneve europiane.
“Edi Rama e shndërron këtë në një proces okult, të mbyllur, sikur e ka pronë të veten dhe jo një proces që duhet të ketë, siç thotë Parlamenti Evropian, epiqendër rolin e parlamentit, opinionin publik, shoqërinë civile, mediat e me radhë”, tha Berisha.
Ai përmendi edhe forumet e Bashkimit Europian, duke theksuar se ato shqyrtojnë vazhdimisht progresin e Shqipërisë dhe vendosin kërkesa shtesë në procesin e integrimit.
Berisha deklaroi se respekton institucionet e Bashkimit Europian dhe përfaqësuesit e tij diplomatikë, por theksoi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e tij publike.
I pyetur mbi reagimet e Bashkimit Europian pas deklaratave të tij ndaj ambasadorit të BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, Berisha u shpreh se çdo deklaratë e tij bazohet në burime të shumta dhe të verifikuara.
“Unë edhe njëherë u deklaroj shqiptarëve se në mënyrë absolute çdo gjë që kam thënë e kam pasur dhe e kam të bazuar në të paktën dy ose më shumë burime”, tha Berisha.
Ai shtoi se ka respekt të madh për institucionet europiane, përfshirë Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian, si dhe për ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
“Kam respektin më të madh dhe simpatinë më të madhe për Komisionin Europian, për ambasadorët, për përfaqësuesit e vendeve anëtare”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se nuk do të heqë dorë nga denoncimi i asaj që ai e konsideron të papranueshme.
“Por në mënyrë absolute nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë në botë që më pengon mua të denoncoj atë që unë e konsideroj të papajtueshme. Nuk kam ndërmend të ndalem në këto qëndrime”, deklaroi ai.
Sipas tij, qëndrimet e tij nuk janë të reja, por janë të përsëritura ndër vite.
“Të vërtetat unë nuk mund t’i fsheh. Nuk do isha ky që jam. Kjo është përgjigjja ime”, përfundoi Berisha.
