Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijon të denoncojë atë që ai e quan farsë elektorale. Në një deklaratë për mediat të premten, ai tha se selia blu është e vendosur ta luftojë dhe se misioni i tij personalisht do të mbarojë ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë.
“Këto zgjedhje të gjitha partitë simotra tonat i quajtën farsë 10 ditë para se të zhvillohen. Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë. Kjo është një betejë që mbyllet me sukses ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë. Me këtë narkoshtet shqiptarët kurrë, pa u çliruar prej tij nuk mund të votojnë të lirë. Lufta e madhe fiton pas kësaj farse. Nuk duhet të flasim për zgjedhje më, duhet të flasim për farsë elektorale”, tha Berisha.
Ai akuzoi se Ergys Agasi, Elvis Doçi, Suel Çela dhe Vangjush Dako kanë zhvilluar takime me njëri-tjetrin gjatë zgjedhjeve. Sipas Berishës, vetëm 4 kandidatë të mbështetur nga ta kanë mbledhur 80 mijë vota për Partinë Socialiste.
“Vetëm tre nga këta kandidatë, ose katër kanë 80 mijë vota të regjistruara. Kampione, kampion, është natyrisht Sara Mile. Kampion është Arkend Balla, kampion është Ani Dyrmishi, kampion është “Blendi Xhabafti”. Këta të katërt eksponentë bëjnë rreth 80 mijë vota. Këta janë vetëm pararoja e kontingjentit të krimit të 28 deputetëve që morën urdhër nga Edi Rama për t’i mbështetur bandat”, u shpreh Berisha.
Akuza hodhi edhe ndaj kandidates së Fierit, Zegjine Çaushi.
“Pse hidhej Zegjineja nga dega në degë? Kishin porosi që duhej të futej në parlament. Ishte Sara Mile e Fierit. Para jush dua t’u them shqiptarëve se kjo farsë është një fatkeqësi e madhe kombëtare, por ka një rrugëdalje, qëndresën e tyre”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati theksoi se kjo farsë dallon nga të tjerat pasi “është e vetmja që është dënuar para se të zhvillohet”.
“Lufta kundër kësaj farse vazhdon me të gjithë forcën dhe përpjekjen”, theksoi ai.
Berisha u shpreh edhe njëherë se zgjedhjet nuk mund të njihet dhe se rruga e vetme janë “zgjedhje të lira dhe qeveri teknike”.
“Me Ramën ka vetëm farsë dhe nuk ka zgjedhje”