Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë politik në kuadër të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
Berisha tha se në këtë bashkëpunim mund të përfshihen të gjitha forcat politike dhe grupet e interesit që kundërshtojnë qeverisjen e Edi Ramës, edhe në rastet kur kanë qëndrime kundër Partisë Demokratike.
Gjatë një konference për shtyp me gazetarët, Berisha theksoi se koalicioni që po synohet të krijohet do të jetë ndryshe nga bashkëpunimet e mëparshme politike, pasi synon ruajtjen e identitetit të secilit subjekt pjesëmarrës.
“Kjo do të thotë përpjekje e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij. Çfarë do të thotë kjo? Një bashkim duke ruajtur të gjithë identitetet. Një bashkim dhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër Partisë Demokratike. Pra, ky është një spektër i gjerë në konceptin tonë ku ne nuk përjashtojmë nga ky bashkërendim dhe bashkëpunim asnjë faktor që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit”, tha ai.
I pyetur nëse ndryshimi i sistemit zgjedhor është kusht i panegociueshëm për Partinë Demokratike në reformën zgjedhore, Berisha u përgjigj se kërkesat e paraqitura nuk janë vetëm të PD-së, por përfaqësojnë qëndrimet e një spektri më të gjerë opozitar.
Ndërkohë, lidhur me protestën e paralajmëruar për 28 Nëntor, Berisha konfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike dhe u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të saj që të mblidhen në Tiranë.
Ai shprehu bindjen se në protestë do të marrin pjesë demokratë nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe diaspora.
“Thirrja ime është sot për çdo anëtar dhe anëtare, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike, me 28 Nëntor të gjithë në Tiranë në nderim të flamurit tonë kombëtar kundër këtij regjimi armiqësor ndaj flamurit, ndaj kombit dhe vendit. Nuk ka nderim më të madh për të rënët e kombit atë ditë, sesa të luftosh për idealet e tyre kundër këtij narkodiktatori. Dhe unë kam besim se demokratët nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut do të jenë në atë protestë më shumë se asnjëherë”
