Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar pas daljes nga ambientet e SPAK-ut, ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, se Prokuroria e Posaçme po amniston, sipas tij, krimin elektoral në Shqipëri.
Berisha akuzoi institucionin për mos hetim të shkeljeve zgjedhore, duke iu referuar edhe raporteve të institucioneve ndërkombëtare për zgjedhjet e 11 majit.
Fjala e Sali Berishës:
Edhe njëherë dua të denoncoj krimin monstruoz të amnistisë nga ky institucion partiak të krimit elektoral. Krimi elektoral në Shqipëri është sot i certifikuar me dokumentet më themelore të institucioneve ndërkombëtare që merren me zgjedhjet.
Krimi elektoral në Shqipëri ka arritur formën më të egër, më barbare, atë që quhet parti-shtet. Institucionet më serioze ndërkombëtare, ODIHR, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe Parlamentin Evropian kanë gjetur se zgjedhjet e 11 majit, partia dhe shteti, institucioni dhe strukturat partiake u shkrinë në një.
Por kjo për Altin Hajrin Gjokën Troplinin Farrukun, se zinxhirin e ka të pafundëm ky, pra për të, kjo nuk është krim. Ky seksion i PS kryen krim të rëndë kushtetues kur nuk heton krimin elektoral dhe e amniston atë.
Shndërrohet në patericë kryesore të narkoshtetit dhe jo rastësisht mund t’u them se radhën tjetër do vij me maska antidrogë se aty qelbej drogë vendi. Nuk e di se ç’kishte ndodhur sot, por u detyrova të përdor një shami xhepi si maskë për shkak të kundërmimit në të katër anë drogë të këtij institucioni.
Dhe krenarë se janë institucion i narkoshtetit. Krenarë se mbrojnë narkoshtetin, i cili përbën pushtuesin më të egër të kombit shqiptar në të gjitha kohërat.
Përbën shkatërrimtarin më të madh të qenies sonë kombëtare, varfëruesin më të madh të shqiptarëve.
