Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka vijuar me deklaratat për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Këtë të mërkurë më 23 korri, ai u ndal tek votimi në Diasporë, ku sipas tij, shumë nga zarfat nuk u kthyen nga DHL në Shqipëri.
Berisha tha se në lidhje me votimin në Itali, mbi 15 mijë vota nuk u kthyen dhe se shumë zarfa të tjera janë zbuluar me firma të falsifikuara si vizë apo fjongo, ose ka patur raste kur kanë firmosur persona të tjerë dhe jo votuesi.
“Kam paraqitur disa ditë me radhë para medieve dhe publikut farsën zgjedhore të diasporës në Greqi. Skenarë të njëjtë me Greqinë janë zhvilluar edhe në zona të tëra të Italisë. Këtu, zgjedhës të miratuar në Itali kanë qenë 91 mijë. Zarfe të dërguar në Itali janë 91 mijë. Por zarfe të mbërritur në KQZ nga Italia janë 75 mijë apo 15 mijë më pak.
Çka do të thotë se 15 mijë e 474 vota u mbytën në Adriatik për arsye politike. Nuk mbërrijnë në destinacion. Grupi që po analizon ka shqyrtuar gjithsej 353 fatura që DHL ka paraqitur për dorëzimin e votave tek qytetarët shqiptarë. Nuk është u dorëzuar vota 7 përqind të votuesve, janë përjashtuar. Nuk është marrë firma tek 3 përqind e tyre. Kanë firmosur persona të tjerë në 21 përqind të rasteve.
Pra, siç e shihni, në rreth 30 përqind, ai që ka marrë votën, nuk dihet kush është, nuk është i zoti, nuk është personi që i takon. Në vend të firmave, në 3 përqind janë gjetur vetëm vizë. Në 3 përqind është gjetur vetëm fjongoja, se Lubia e ka shumë pasion fjongon. Shenja të tjera në vend ët firmës, 15 përqind. Domethënë në 42 raste është krejtësisht falsitet dorëzimi i fletëve të votimit. Po të shtosh këtu 42, plus 7, 49 që nuk janë dorëzuar fare, në 50 përqind të rasteve, fletët e votimit nuk u janë dorëzuar votuesve, por janë dorëzuar në zyrat e PS. Nuk faktohet marrja nga votuesi në 50 përqind të rasteve.”-ka deklaruar Berisha këtë të mërkurë.
Po ashtu, Berisha tha se ka patur edhe dorëzime të këtyre zarfeve pas zgjedhjeve të 11 majit: “Vazhdojmë. Nuk i është dorëzuar votuesit. Me datën 14 maj, merreni me mend. Vazhdojmë. Me 12 maj dorëzimi, një ditë pas votimit. Me 12 maj. Vazhdoni. Me 12 maj. 12 maj. 14 maj. 12 maj. 12 maj. 12 maj. 12 maj, pra pas votimit. Vazhdo.”
Gjatë fjalës së tij, Berisha vazhdoi të thotë se edhe në votimin e diasporës janë realizuar të gjitha falsifikimet, deformimet, manipulimet se e si ky proces të mos shprehë votën e qytetarëve, por sipas tij “të shprehë mashtrimin dhe falsifikimin e narkoqeverisë, partisë së krimit, PS-së”.