Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të martë, më 22 korrik, nga ku ka ngritur akuza të rënda ndaj Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Berisha denoncoi se 350 kuti votimi janë marrë në mënyrë të paligjshme nga magazinat e KQZ-së në Farkë, pa asnjë dokument shoqërues, dhe janë dërguar në një ambient të administruar nga një ish-deputet i Partisë Socialiste.
Ai e cilësoi këtë ngjarje si një krim elektoral që shkon përtej çdo precedenti të 32 viteve të tranzicionit demokratik të vendit: “PD disponon të gjitha mundësitë për të faktuar sa ato që unë shtrova pyetjet sot. Por zoti Celibashi duhet të përgjigjet këtyre pyetjeve sepse kemi të bëjmë me një akt të padëgjuar në 32 vite, por të paralajmëruar se ka ndodhur nga një seri demonstrimesh në të cilat kutitë me fletë votimi çdo gjë mund të ishin, por jo kuti të qendrave të votimit.”
Berisha vazhdoi me akuzat ndaj Celibashit, duke thënë se ai ka refuzuar të japë informacione por u ka thënë përfaqësuesve të PD-së t’i drejtohen rojes.
“Ne i jemi drejtuar Ilirjan Celibashit, përfaqësuesit tanë dhe në mënyrën më absurde Celibashi i ka drejtuar ata tek ‘Iliria Guard’, sikur magazinat e ruajtjes së materialeve të votimit janë pronë e ‘Iliria Guard’ dhe jo e KQZ-së. Ne me durim pritëm se Celibashi të dëshmojë se nuk është pjesë e këtij skenari të zhdukjes së kutive të votimit për qëllime të manipulimit elektoral, Celibashi gjer sot nuk ka kthyer. Por ne kemi mundësi të faktojmë çdo gjë.”-shtoi ai.
Berisha vazhdoi të këmbëngulë se disponon dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme lidhur me 350 kutitë e votimit, se sa janë marrë, kur janë marrë, ku kanë shkuar, ku janë vendosur, që të gjitha. Por shton se nuk i ka nxjerrë ende sepse sipas tij “është mirë që Celibashi të bëjë transparencën në pozicion ku është.”
Kryedemokrati shtoi se “Groposja e zgjedhjeve si proces demokratik është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, e Kushtetutës dhe e demokracisë në këtë vend”. Ai vijoi me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, se në zgjedhjet e 11 majit (të cilat ai i konsideron farsë zgjedhore), ka përdorur çdo mjet për të deformuar vullnetin e qytetarëve.