Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se operacionet e agjencive ligjzbatuese të vendeve partnere kundër grupeve kriminale shqiptare po nxjerrin në pah përmasat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe lidhjet që, sipas tij, ekzistojnë mes krimit të organizuar dhe qeverisë.
Në fjalën hyrëse gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të zhvilluar në selinë e PD-së, Berisha shprehu mirënjohjen për agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere për operacionet kundër organizatave kriminale shqiptare.
Sipas Berishës, hetimet e fundit kanë zbuluar aktivitetin e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Berisha tha se, Shqipëria po përballet me pasoja të rënda nga trafiku i drogës dhe krimi i organizuar, duke shtuar se numri i personave të arrestuar në vend mbetet i ulët krahasuar me përmasat e operacioneve të zbuluara nga autoritetet ndërkombëtare.
