Screenshot 1 27 e1758014725595 696x435

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti sot hapjen e grup-kapitullit 4 në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian të mbajtur në Bruksel.

Grup-kapitulli 4 përfshin sektorë thelbësorë të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Presidenti Begaj vlerësoi rëndësinë e këtij akti, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm në rrugën e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se me këtë ritëm progresi, brenda vitit do të finalizohet hapja e të gjithë kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Një tjetër hap shumë i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë evropian. Sot Shqipëria hapi negociatat për grup-kapitullin 4: Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme. Me këtë ritëm, Shqipëria drejt realizimit të objektivit të saj për të hapur gjithë grup-kapitujt e negociatave brenda vitit”, vlerësoi Presidenti Begaj.

Grup-kapitulli 4 përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit, të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Gjelbër Europiane dhe prioriteteve strategjike të BE-së.
Për Shqipërinë, ky hap përfaqëson jo vetëm një instrument për modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë, por edhe një mundësi për të rritur konkurrueshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Me hapjen e këtij grupkapitulli, Shqipëria shënon grup-kapitullin e pestë të hapur në vetëm 11 muaj, nga gjashtë grup-kapitujt në total, duke dëshmuar progres të prekshëm, ritëm të lartë negociues dhe kapacitete të konsoliduara institucionale. Ky hap përbën një kontribut thelbësor drejt realizimit të objektivit politik të vendit, përfundimi i negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.
FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights