Përmes dy dekreteve të firmosura sot, 17 shtator, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zyrtarizuar lëvizjet e reja në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me anë të këtyre akteve zyrtare, Besfort Lamallari është liruar nga detyra e ministrit, ndërsa në vend të tij është emëruar Ervin Demo.
Kryeministri Edi Rama njoftoi më 11 shtator ndryshime në kabinetin qeveritar. Ai deklaroi se Besfort Lamallari nuk do të vijojë më detyrën si ministër i Brendshëm, ndërsa në vend të tij është emëruar Ervin Demo, i cili deri tani mbante postin e ministrit të Pushtetit Vendor.
Besfort Lamallari e mori detyrën e ministrit të Brendshëm në 6 mars të këtij viti. Ai zëvendësoi Albana Koçiun në këtë post, ndërsa më herët mbante postin e ministrit të Drejtësisë.
Gjatë qëndrimit të tij në krye të Ministrisë së Brendshme, u mbajtën dhe protestat qytetare kundër qeverisë.
Ishte Lamallari, që shpalli non grata Igballe Berishën, si të dyshuar si të lidhur me regjimin në Iran. Ndërsa më vonë shpalli non grata edhe dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që i konsideronte si elementë të rrezikshëm për sigurinë e vendit.