“Ligjet tona nuk janë për diskutim”, ky ishte reagimi i prerë i Komisionit Europian lidhur me marrëveshjen e arritur së fundmi në kuadër të G7-s për taksën globale minimale prej 15%, që parashikon një përjashtim për kompanitë amerikane.
Edhe pse rregullat e Bashkimit Europian mbeten të paprekura, ky akord prek drejtpërdrejt “web tax”-et kombëtare dhe planet e Brukselit për një taksë digjitale europiane.
Taksimi minimal global, i miratuar para afro katër vitesh, kishte për qëllim të frenonte evazionin fiskal të kompanive shumëkombëshe, sidomos Big Tech-ëve që regjistrojnë fitime në vende me norma të ulëta tatimore. Ish-presidenti amerikan Donald Trump e kishte kundërshtuar fuqishëm këtë mekanizëm, duke argumentuar se kompanitë amerikane tashmë paguajnë taksa në SHBA dhe çdo përpjekje për taksim ndërkombëtar është “e paligjshme”.
Sot, vetëm Bashkimi Europian, Japonia dhe Koreja e Jugut e kanë përfshirë këtë taksë në legjislacion, ndërsa gjigantë si India apo Kina e kanë refuzuar. Megjithatë, përjashtimi i kompanive amerikane në kuadër të G7-s shihet si një hap prapa në drejtim të një sistemi tatimor të barabartë.
Komisioni Europian mbetet i vendosur: “Legjislacioni ynë, përfshirë Digital Market Act dhe Digital Services Act, nuk është pjesë e negociatave tregtare me SHBA-në”, theksoi zëdhënësja e Komisionit.
Por ky pozicion vjen në një moment kritik, pasi marrëveshja e G7-ës rrezikon të dobësojë përpjekjet për vendosjen e një takse europiane mbi shërbimet digjitale, një instrument që BE e ka përdorur edhe në negociatat për tarifat doganore me SHBA-në. Vendet si Italia, Franca, Spanja, Austria, Britania e Madhe, Turqia dhe India, që kanë tashmë në fuqi taksa kombëtare digjitale, duhet të vendosin për qëndrimin e tyre të mëtejshëm.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, rikujtoi se taksat kombëtare janë burimi më i qëndrueshëm i financimit për shërbime publike si arsimi dhe shëndetësia, duke shtuar se sistemi fiskal i drejtë është thelbësor për tërheqjen e investimeve dhe për barazi mes kompanive.
Ndërkohë, komisioneri i BE-së për Tregtinë, Maros Sefcovic, ndodhet sot sërish në Washington për të negociuar mbi tarifat dhe për të zbutur tensionet tregtare.
Por sipas analizave, pozitat e tij në këtë raund janë më të dobëta pas lëshimeve të fundit në tryezën e G7.