Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet NATO-s dhe BE-së për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, përmes një postimi në rrjetin social X. Mesazhi i saj erdhi pas një takimi me Peter Sorensenin, përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe për të forcuar përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në rajon, ndërsa BE-ja mbetet e angazhuar në lehtësimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50,000 trupa të stacionuara në Kosovë, por ky numër është reduktuar në rreth 4,600 ushtarë pas vlerësimeve të vazhdueshme të gjendjes së sigurisë.
Megjithatë, prania e trupave është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, si në rastin e sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023. KFOR-i dhe BE-ja mbeten të përkushtuara për të siguruar një mjedis të qëndrueshëm dhe të sigurt në rajon, duke u fokusuar në zgjidhjen e çështjeve përmes dialogut dhe diplomacisë.