Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha në një komunikim për mediat jashtë godinës së Kuvendit se do i japë votën Lulzim Bashës nëse ai fiton besimin e 18 kolegëve të tjerë. Sipas tij është domosdoshmëri tashmë që vendi të ketë një opozitë.
“Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike është ai që gëzon besimin me votë të shumicës së deputetëve të grupit parlamentar të PD-së. Aktualisht nevojiten 19 vota pro që të zgjidhesh kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Zoti Basha do të duhet të fitojë besimin e 18 kolegëve. Vota e 19-të pro tij, do të jetë e Gazment Bardhit,” – u shpreh Bardhi.
Sipas tij opozita aktuale po i jep komoditet të pamerituar qeverisë.
“Ky është qëllimi i takimit të nesërm. Cilido deputet që e ndjen veten opozitar, është i ftuar në këtë takim të përbashkët të të gjithë deputetëve të dalë nga lista e deputetëve të dalë nga lista e deputetëve të Partisë Demokratike. Sigurisht, zoti Basha, si një prej 59 deputetëve është i ftuar të marrë pjesë në këtë takim. Aty ka dhe gjithë mundësinë e tij për të shprehur ambicien, sepse unë nuk e kam ditur që e ka, për të shprehur ambicien për t’u zgjedhur kryetar i grupit parlamentar. Do duhet të bëjë 18 vota, vota e 19-të pro do të jetë e Gazment Bardhit,”– deklaroi deputeti.
Deputeti i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se Gazment Bardhi është shkarkuar nga kreu i grupit, ndërsa këtë detyrë që Kuvendi Kombëtar ia kaloi atij një ditë më parë, tha se do t’ia delegojë një nga nënkryetarëve.
‘Beteja jonë është për qytetarët. Duhet të punojmë dhe të shërbejmë njerëzve. Prej ditës së djeshme me hyrjen në fuqi të satutit, janë marrë vendimet përkatëse, por për të shuar kureshtjen tuaj dua ta deklaroj hapur që si kreu i PD dhe i ngarkuar edhe me detyrën e krut të grupit, kam ndërmend ta delegoj këtë detyre te një nga nënkryetarët e grupit, siç ka qenë përherë. Thirrja ime për çdo deputet është që tani është momenti të shohim përtej interesave personalë, përtej frikërave që mund të ketë shkaktuar konflikti, se në fund të fundit janë shprehur mbi 4 mije delegatë të PD dhe ata janë një fuqi reale”