Për të katërtën herë, banorët e fshatit Restej në Rrogozhinë kanë dalë në protestë për të kërkuar nisjen e punimeve për rehabilitimin e rrugës së fshatit. Ata akuzojnë Bashkinë e Rrogozhinës për zvarritjen e projektit, i cili është tenderuar me një fond prej 61 milionë lekësh dhe është kontraktuar para muajit dhjetor të vitit të kaluar.
Kete here banorët e fshatrave te cilet kerkojne reabilitimin e rruges janë mbledhur sërish para zyrave të Bashkisë Rrogozhinë, duke kërkuar zbatimin e projektit që do të mundësonte përmirësimin e rrugës prej 18 kilometrash.
Ky segment rrugor është i një rëndësie jetike, pasi lidh fshatrat Koçaj, Thertore, Fliballaj, Rrostej, Demarkaj, Murraj dhe të tjera. Banorët shprehen se gjendja e rrugës është e rënduar dhe se mungesa e ndërhyrjes po ndikon negativisht në jetën e tyre të përditshme. Ata theksojnë se, përveç faktit që kanë të drejtën për një rrugë të aksesueshme si çdo qytetar shqiptar, situata bëhet edhe më e rëndë kur ka raste urgjente si zjarre, probleme shëndetësore apo raste festive, kur mjetet e transportit nuk mund të lëvizin në rrugën e dëmtuar.
Pavarësisht premtimeve të marra, deri më tani nuk është vënë asnjë makineri në terren për nisjen e punimeve. Banorët shprehen se nuk do të ndalen me protestat e tyre deri në nisjen dhe përfundimin e punimeve të premtuara. Ndërkohë, ata pretendojnë se nuk po gjejnë asnjë përgjigje nga zyrtarët e bashkisë, të cilët nuk pranojnë të japin sqarime për vonesat e projektit.
Protestuesit paralajmërojnë se do të vijojnë të bëjnë presion deri në realizimin e këtij projekti jetik për komunitetin e tyre. Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse autoritetet vendore do të marrin masa për të zgjidhur këtë problem që vazhdon prej muajsh.