Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, ka inspektuar ditën e sotme qendrën e monitorimit në tunelin e Llogarasë.
Balluku, u shpreh se çdo gjë është e monituar nga Policia Rrugore, për të shmangur shkeljet e Kodit Rrugor. Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës, sqaron se çdo gjë është e monitoruar nga kamerat e sigurisë. Çdokush që kryen shkelje, do të gjobitet, masë administrative kjo e cila vjen online, si dhe mund të ketë e penalizime tek leja e drejtimit.
“Këtu fillon gjithcka, e dua të bëj disa njoftime. Nga ana tjetër, duhet të them që është shumë e rëndësishme, që gjithë drejtuesit e automjeteve të kuptojnë që janë të monitoruar. Javën e fundit që kemi nisur operimet, e një herë nga e para, kemi pasur raste të thyrjes së Kodit Rrugor, qjë që duhet evidentuar në tunelin e Llogarasë. Në tunele nuk ka parakalime. Sinjalistika është e plotë dhe duhet respektuar. Do ju tregojmë kamerat, sepse duhet të dini që gjithçka është e regjistruar. Duke qenë e regjistruar, Policia Rrugore ka çdo file nga çdo minutë i operimit të tunelit. Detyrimisht, të gjithë ata që kanë shkelur limitin e shpejtësisë, të gjithë ata që kanë shkelur rregullat e sigurisë rrugore, duhet të dinë që do përballen me Policinë Rrugore, e cila padyshim do të marrë masat e duhura. Nëse nuk ju kanë ndaluar, nuk do të thotë se nuk do të vijë një gjobë apo një penalizim përsa i përket lejes së drejtimit”, tha ajo.
Balluku u ndal e tek kushtet e punës për të gjithë punonjësit e qendrave të tilla inovative në vend. Ajo u shpreh se është e rëndësishme që të punësuarit të ndihen komodë dhe kushtet të jenë barazim me ato të unionit evropian.
“Ambientet e punës janë shumë të rëndësishme, aty ku po zhvillohen të gjitha proceset tona. Është shumë e rëndësishme për ne, që djemtë e vajzat që punojnë nëpër Shqipëri, në të gjitha këto qendra inovative mbi të gjitha, të jenë komodë. Të kenë kushtet sipas kritereve të Bashkimit Evropian, për të kërkuar më pas ne rendimentin e lartë në punë”, tha ajo.
Kujtojmë se tuneli i Llogarasë, i cili u hap më 24 maji, do të jetë pa pagesë deri më datë 15 shtator. Kjo është vepra e cila shkurton distancën drejt bregdetit të jugut dhe padyshim që i shërben sezonit turistik.
Me një gjatësi prej 6 kilometrash, tuneli i Llogarasë përbëhet nga dy tuba, ai kryesor dhe një tunel emergjence, të lidhur me 11 dalje. Tuneli jo vetëm lehtëson qarkullimin, por gjithashtu redukton kohën e udhëtimit nga Dukati në Palasë, e cila nga 30 minuta, në vetëm 7 minuta.
Tuneli i Llogarasë u hap në korrik të vitit të kaluar, me qëllim mundësimin e kalimit të makinave për sezonin turistik, për t’u mbyllur në nëntor, me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme. Vlera e këtij projekti llogaritet në 230 milionë euro.