Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, deklaroi sot se Shqipëria është kthyer në një vend të pasigurt “si pasojë e vjedhjes sistematike, korrupsionit të shfrenuar, kapjes së shtetit, mungesës së lirisë dhe, mbi të gjitha, bashkëpunimit të drejtpërdrejtë të qeverisë me kartelet e drogës”.
Balliu tha se “Bashkimi Evropian ka pezulluar fondet për dixhitalizimin pas skandalit në AKSHI”.
“Për këtë arsye, komuniteti europian vendosi të pezullojë fondet për dixhitalizimin”, deklaroi Balliu.
Ai shtoi se, sipas tij, fondet janë bllokuar sepse BE e ka të qartë se ato vidhen nga qeveria dhe përdoren për interesa të ngushta të pushtetit.
Balliu tha se qeveria po mashtron qytetarët me premtime për integrimin evropian, ndërkohë që realiteti është krejt i kundërt, pasi “Bashkimi Europian po pezullon fondet për Shqipërinë për shkak të vjedhjeve dhe bashkëpunimit me bandat kriminale”.
Sipas deputetit të PD-së, Shqipëria po negocion interesat kombëtare për përfitime personale të pushtetit, ndërsa institucionet shtetërore janë nën kontrollin e grupeve kriminale.
“Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Shqipëria vizitohej nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara; sot, shqiptarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm drejt SHBA-së, sepse udhëhiqen nga një qeveri e karteleve. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike, Bashkimi Evropian sillte fonde për Shqipërinë, si në bujqësi ashtu edhe në dixhitalizim; sot këto fonde janë bllokuar, sepse BE deklaron qartë se ato vidhen nga qeveria.
