Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi sot rolin vendimtar që ka pasur Komisioni i Venecias në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë kushtetuese në Shqipëri gjatë tri dekadave të fundit.
Në Konferencën “30 vite Partneritet dhe Progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”, Balla nënvizoi se mbështetja e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias ka qenë jetike për ndërtimin institucional të vendit.
Ai përmendi disa raste ku opinioni i Komisionit ka ndihmuar në zgjidhjen e krizave politike dhe institucionale.
“Kemi rastin e opinionit mbi dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ku mendimi i Komisionit shmangu një ngërç politik; mandatet e gjyqtarëve kushtetues, që mundësuan rikthimin e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese; opinionin mbi ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 për zgjedhjet dhe rregullat e listave zgjedhore; opinionin mbi zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut, që ka qenë thelbësor për vijimin e reformës në drejtësi; opinionin mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi”, solli në vëmendje Balla.
Balla theksoi se “Komisioni i Venecias ka shërbyer në të gjitha rastet si një arbitër i vlerave dhe standardeve profesionale, duke ofruar gjithmonë qasje të balancuara që kanë ndikuar në shmangien e krizave dhe në zgjidhjen e ngërçeve”.
Ndaj, sipas tij, “Shqipëria i jep shumë rëndësi Komisionit të Venecias, dhe ky aspekt institucional është i mishëruar edhe në ligjin e Gjykatës Kushtetuese, ku Shqipëria ka parashikuar të drejtën që kjo gjykatë t’i drejtohet gjithmonë Komisionit të Venecias sa herë e sheh të arsyeshme për çështje të ndërlikuara kushtetuese”.
Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria ndodhet përballë dy reformave madhore, asaj zgjedhore dhe territoriale, për të cilat për shkak të debateve me opozitën mund të kërkohet sërish opinioni i Komisionit të Venecias.
“Të dyja këto reforma kanë ndikim afatgjatë: njëra në sistemin përfaqësues, tjetra në organizimin e pushtetit vendor. Jam i bindur se debatet që do të kemi me opozitën ndoshta do të na çojnë përsëri në nevojën për të kërkuar mendimin e vyer dhe jurisprudencën qoftë në opinionet ekzistuese, qoftë në ato të reja të Komisionit të Venecias, të cilat siç kanë dëshmuar, janë gjithmonë të domosdoshme për të siguruar që ndryshimet që bëjmë të plotësojnë standardet më të mira dhe frymën kushtetuese”, shtoi ai.
Balla vuri në dukje rëndësinë e “Checklist” të shtetit të së drejtës të Komisionit të Venecias, si një udhëzues praktik për të vlerësuar përputhshmërinë e ligjeve me parimet themelore të shtetit të së drejtës, duke ftuar institucionet shqiptare ta përdorin më gjerësisht në punën e tyre.
Balla theksoi faktin se Kuvendi i Shqipërisë ka një komision të përhershëm pikërisht të dedikuar çështjeve të të drejtave të njeriut, ku janë përfshirë edhe mjetet e informimit si një pjesë thelbësore e zbatimit të këtyre parimeve udhëzuese.