Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e atentatit të ndodhur një ditë më parë në Pogradec, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar.
Si rezultat i hetimeve janë identifikuar katër autorët e dyshuar të ngjarjes, të gjithë me precedentë penalë për krime kundër personit.
Sipas hetimeve të kryera rezultoi se katër të dyshuarit kanë tentuar të vrasin 35-vjeçarin B. S. për shkak të konflikteve të mëparshme.
Ngjarja ndodhi teksa 35-vjeçari ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3 të Pogradecit, ku u qëllua me armë zjarri dhe mbeti i plagosur në këmbë.
Policia thotë se njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, falë reagimit të shpejtë dhe ndjekjes së pandërprerë nga efektivët.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre automjete dhe gjashtë telefona celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimit.
I plagosuri vijon të marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Motivi kryesor
Autori i dyshuar (N.A.) u plagos vitin e kaluar nga (S.S.), vëllai i të plagosurit(B.S.) në një berbehane. Ngjarja ka ndodhur në janar të vitit 2025. Megjithatë do jenë hetimet e plota ato, që do të përcaktojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
