640 0 c9c6483fed99eabfd45930797a301409

Artan Tafani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka pranuar të rrëfejë për SPAK 17 episode kriminale si pjesë e bandës së Laert Haxhiut. Përpara prokurorit të çështjes, Behar Dibra, ai tregoi mënyrën si u njoh me të.

“Për Laertin kisha dëgjuar vetëm në televizor, nëpër lajme. U nisëm për në Dajt, u ulëm te një restorant. Laerti më mori jashtë dhe më tha: “Hajde, flasim pak jashtë”. Atë natë ndenjëm atje, në Dajt. Morëm një lloj suite. Unë u tremba në fakt, sepse thashë: “Pse më morën mua këta?”, kur pashë Laert Haxhiun. Më tha: “Do bëjmë ndonjë punë, do të ndihmoj unë me ndonjë mall, por punë kështu, transporti, punë të jashtëligjshme”. Ai, mesa duket, e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen, Laerti dhe Ligori ikën për në Korçë. Unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin dhe ikëm në Lushnjë. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro. 500 të tjera m’i dhanë pas nja 2-3 ditësh”, mësohet të jetë shprehur Tafani.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ai rrëfeu edhe “provën” që kishte kaluar për të qenë pjesë e bandës.

“Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnje, pasi i kishin dhënë mall dikujt dhe ai nuk i kishte dhënë lekët. Donin t’ia bënin në formë presioni. I thashë: “Dakord, ç’të thoja?”. Që nga dita e parë që i takova, ndjeja një lloj presioni mbi mua, s’e di si t’ua shpjegoj. Rrugës, kur zbritëm, Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. Unë e kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit. U nisa për në Lushnje për të vendosur tritolin. Kisha bërë dhe planin. Vendosa 100 gram tritol. M’u duk sikur kjo ishte prova që këta do të shikonin nëse do ta bëja punën apo jo. E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa te dera e banesës, ishte në katin e parë të një pallati. Isha në këmbë, kalova nga shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin”, mësohet të jetë shprehur ai në gjykatë.

Artan Tafani ka treguar gjithashtu problemet me drogën gjatë kohës që ka qenë në Greqi, ndërsa pasi është kthyer në atdhe u fut në burg për vjedhje ku nisi edhe “karriera” e tij kriminale.

“Kam qenë edhe përdorues droge. Në vitin 1997 më vranë babanë në fshatin Karbunarë dhe ika me nënën në Greqi. Isha i vogël. Kishim një biznes familjar me materiale ndërtimi. Fillimisht punova punë të ndershme në Greqi, si bojaxhi, lyerje. Në vitin 2006, kur u ktheva në Lushnje nga Greqia, punova me xhaxhain, përsëri në ndërtim dhe lyerje. Lashë edhe drogën, por më pas u ngatërrova prapë dhe rashë në burg në vitin 2015. Vodha një Western Union, aty ku më dërgonin lekë njerëzit e afërm nga Greqia. Pas disa muajsh më arrestuan dhe u dënova me gjashtë vite burg. Në paraburgim jam njohur me disa çuna nga Lushnja. Erdhi një Lulzim Spahiu pas ngjarjes ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, dhe arma u gjet te stani i babait të Laert Haxhiut, zotit Qamil Haxhiu. Pas Lulzimit, aty erdhi edhe Qamili. Me Lulzimin kemi ndenjur aty. Pasi dola nga burgu, e kam takuar te një karburant i Saimir Taullahut. Më pas, më çoi llaf Klajd Taullahu se donte të më takonte Lulzimi. Donte të bënim ndonjë punë me mall”, tha ai.

Kujtojmë se Tafani u arrestua në Shtator të vitit 2023 pasi grabiti me armë një pikë këmbimi valutor në zonën e Astirit.

“Zbërthimi” i tij para prokurorëve ka zbuluar një sërë ngjarjesh kriminale dhe anëtarë të grupit të Haxhiut.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights