Policia e Durrësit vuri në pranga nga një aksion i zhvilluar nën masa të shumta sigurie shtatë persona, mes të cilëve tre me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Një prej të arrestuarve është edhe i shumëkërkuari Xhevdet Plaku, i njohur si “Akili”. Ai u arratis në Janar të këtij viti nga burgu i Ancona-s ku ndodhej i arrestuar pë trafik narkotikësh. Po ashtu, “Akili” është një emër shumë i njohur për policinë shqiptare pasi i ka shpëtuar disa atentateve.
Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, në një konferencë për shtyp bëri me dije se “Akili” ishte në një restorant në Gjirin e Lalzit së bashku me gjashtë persona të tjera.
Mes të arrestuarve të tjerë janë edhe F M, 43 vjeç, V Xh, 39 vjeç, J Xhi, 35 vjeç, O H, 38 vjeç, F Q, 36 vjeç dhe A H, 45 vjeç.
Policia tha se në momentin e arrestimit gjeti katër pistoleta, me fishekë në fole gati për qitje. Nga të arrestuarit, edhe 43-vjeçari Meçia dhe 39-vjeçari Xhani, paraqiten me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas autoriteteve, Flobens Meçja alias Gega, alias Drini, është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për sigurim kushtesh për vrasje dhe organizatë kriminale. Në momentin e arrestimit ai kishte dy dokumente të tjera të falsifikuara.
39-vjeçari Voltan Xhani, është në kërkim Gjykata e Shkodrës për sigurimin e kushteve për vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër.
Pjesa tjetër e të arrestuarve u kapën për veprat penale moskallëzim krimi dhe përkrahje e autorit të krimit. Gjatë aksionit të koduar “Enigma”, efektivët sekuestruan shuma të mëdha parash, Euro dhe sende të tjera.
“Theksojmë faktin se ky operacion është organizuar dhe zhvilluar në një kohë rekord, me profesionalizëm, duke u finalizuar me sukses pavarësisht shkallës së lartë të rrezikshmërisë siç e citova dhe më lart, pasi 3 prej tyre i kishin armët e zjarrit me fishekë në fole gati për qitje”, dha drejtori Bala.
Zona fillimisht u rrethua nga RENEA dhe më pas oficerët mësynë në ambientet e restorantit, duke i arrestuar personat në fjalë. Ata mësohet se nuk bënë rezistencë.