Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin e ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Po me vendim gjykate, atij i është sekuestruar një apartament në Tiranë.
Ai u dënua me 3 vite burg në mars të këtij viti, për “shpërdorim detyre” dhe “mosdeklarim pasurie”. Sipas vendimit të togave të zeza, Goro përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do të vuajë 2 vite e 20 ditë heqje lirie.
Kujtojmë se SPAK ka kërkuar 2 vite burg ndaj tij, për një tjetër procedim penal, për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone. Goro akuzohet për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim me ish-drejtorin e Tokës dhe Menaxhimit të Pronës të Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha, gjithashtu i pandehur në këtë dosje. Për Strakoshën, SPAK ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg (me gjykim të shkurtuar 1 vit).