Erion Veliaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku njofton se ai dhe Bashkia e Tiranës kanë ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë lidhur me padinë për konstatimin e pavlefshmërisë së dekretit të emërimit të Ols Dados si prokuror.
Në postimin e tij, Veliaj argumenton se gjykata e shkallës së parë nuk e ka shqyrtuar në themel çështjen dhe kërkon që pretendimet për ligjshmërinë e emërimit të Dados të shqyrtohen nga Gjykata Administrative e Apelit.
Veliaj ngre gjithashtu argumente mbi kriteret që, sipas tij, nuk janë përmbushur në momentin e emërimit të Dados në vitin 2008 dhe kërkon verifikimin gjyqësor të aktit të emërimit. Në reagimin e tij, kryebashkiaku e lidh çështjen edhe me parimin e barazisë para ligjit dhe kontrollin gjyqësor mbi ushtrimin e pushtetit penal.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj dhe Bashkia Tiranë kanë ankimuar vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila refuzoi të shqyrtojë në themel padinë që kërkon konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Ols Dados në detyrën e prokurorit.
Thelbi i çështjes është i thjeshtë: a mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit një person që pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit? Pikërisht kësaj pyetjeje Gjykata nuk i dha përgjigje. Ajo e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar në themel faktin se, në momentin e emërimit në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas padisë, nuk plotësonte asnjë nga kriteret ligjore përjashtimore që do të lejonin emërimin e tij si prokuror.
Çështja bëhet edhe më serioze sepse pretendohet pavlefshmëria absolute – forma më e rëndë e paligjshmërisë së një akti administrativ. Ligji parashikon që ajo mund të konstatohet në çdo kohë, madje edhe kryesisht nga vetë gjykata. Megjithatë, Gjykata e mbylli procesin për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar pikërisht atë që ligji i lejon dhe i kërkon ta konstatojë edhe kryesisht: nëse akti që i ka dhënë Ols Dados statusin e prokurorit është apo jo absolutisht i pavlefshëm. Pra, përballë pretendimit se pushteti penal i shtetit mund të jetë ushtruar për vite mbi bazën e një akti juridikisht të pavlefshëm, Gjykata zgjodhi të mos e verifikojë fare këtë pretendim.
Kjo çështje shkon përtej interesit individual të Erion Veliajt. Ajo shtron një pyetje themelore për shtetin e së drejtës: a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit, apo prokurorët dhe gjyqtarët përjashtohen nga kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë së titullit mbi të cilin ushtrojnë pushtetin e tyre?
Kryetari i Bashkisë, i zgjedhur demokratikisht nga rreth 160 mijë qytetarë të Tiranës, i është nënshtruar pushtetit penal të shtetit, ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh pa vendim gjykate fajësie dhe po gjykohet për dyshimet e ngritura ndaj tij. Përse, atëherë, prokurori që ka ushtruar këtë pushtet penal duhet të mbetet jashtë kontrollit të një gjykate për një pyetje elementare: a e ka fituar ligjërisht statusin dhe kompetencën për të vepruar si prokuror? Nëse i zgjedhuri nga qytetarët duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe gjykatës, përse prokurori i emëruar refuzon t’i nënshtrohet të njëjtit standard për ligjshmërinë e pushtetit që ushtron?
Barazia para ligjit nuk mund të funksionojë vetëm për të akuzuarin. Edhe pushteti që heton dhe akuzon duhet të provojë se buron nga ligji.
Pikërisht këtë kërkuam nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe pikërisht këtë kërkojmë sot nga Gjykata Administrative e Apelit: asnjë imunitet për Kryetarin e Bashkisë, por asnjë imunitet nga kontrolli gjyqësor për prokurorin.
