Një aeroplan i Delta Airlines që u ul në aeroportin Ben Gurion të Tel Avivit sot në mëngjes u inspektua nga autoritetet pas një informacioni anonim se brenda kishte një pajisje “të dyshimtë”.
Pasagjerët në fluturimin nga Nju Jorku u zbritën shpejt nga aeroplani pas uljes, ndërsa aeroplani u zhvendos në një zonë të largët të aeroportit për kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Sipas Autoritetit të Aeroporteve të Izraelit, hetimi nuk zbuloi “asnjë gjetje të pazakontë”.
“Avioni u inspektua plotësisht nga personeli i sigurisë së Aeroportit Ben Gurion”, tha Autoriteti, duke shtuar se “operacionet e aeroportit janë rikthyer në normalitet”.
