Policia ka arrestuar drejtuesen e mjetit që dyshohet se shkaktoi aksidentin e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Fushë-Krujës, ku një grua e moshuar humbi jetën dhe tre persona të tjerë mbetën të plagosur.
“Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme, në lidhje me aksidentin në aksin rrugor ‘Fushë-Krujë–Thumanë’, informojmë se, në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. K., pasi automjeti që drejtonte përplasi automjetin që drejtonte shtetasi I. S.”, ka bërë me dije policia këtë të enjte.
Aksidenti ndodhi paraditen e së mërkurës së 2 korrikut, rreth orës 11:00, në aksin Fushë Krujë–Thumanë, në afërsi të fshatit Borizanë.
Mjeti që drejtohej nga 30-vjeçarja me inicialet M. K. u përplas me mjetin tjetër që drejtohej nga 50-vjeçari me inicialet I. S., me të cilin udhëtonin edhe dy të afërme të tij, njëra prej të cilave ndërroi jetë. Viktima ishte nëna e drejtuesit të mjetit.
Tre të plagosurit ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spital.