Një takim mes emisarit amerikan Steve Witkoff dhe presidentit rus, Vladimir Putin, po zhvillohet në Kremlin, sipas mediave ruse.
Witkoff mbërriti në Moskë të mërkurën, ndërsa afati i përcaktuar nga presidenti amerikan Donald Trump për Rusinë që të pranojë një armëpushim në Ukrainë po afron.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda, ose me sanksione dytësore ndaj të gjithë atyre që tregtojnë me të, nëse nuk ndërmerr hapa për të ndalur “luftën e tmerrshme” në Ukrainë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia do të bëjë hapa seriozë drejt paqes vetëm kur të ketë mungesë të fondeve. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të rënda amerikane dhe tarifa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse.
Pritshmëritë për një marrëveshje deri të premten janë të ulëta, ndërkohë që Rusia vazhdon sulmet e mëdha ajrore ndaj Ukrainës pavarësisht kërcënimeve të Trump për sanksione.
Tre raunde bisedimesh ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll nuk kanë arritur ta afrojnë luftën drejt një përfundimi, tre e gjysmë vjet pas pushtimit të plotë të Moskës.
Kushtet ushtarake dhe politike të Moskës për paqen mbeten të papranueshme për Kievin dhe partnerët e tij perëndimorë. Kremlini gjithashtu ka refuzuar vazhdimisht kërkesat e Kievit për një takim mes Zelensky-t dhe Putin.
Ndërkohë, administrata amerikane miratoi të martën shitje shtesë ushtarake prej 200 milionë dollarësh për Ukrainën, pas një bisede telefonike mes Zelensky dhe Trump, ku diskutuan edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe prodhimin e dronëve.
Ukraina po përdor dronë për të goditur rafineritë dhe objektet energjetike të Rusisë, ndërsa Moska ka fokusuar sulmet e saj ajrore ndaj qyteteve ukrainase.
Administrata Ushtarake e qytetit të Kievit njoftoi se bilanci i një sulmi në kryeqytet javën e kaluar u rrit në 32 të vdekur, pas vdekjes së një personi nga plagët e marra. Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në Kiev që nga fillimi i pushtimit.
Autoritetet ukrainase raportuan të mërkurën se një sulm rus ndaj një kampi pushimi në rajonin qendror të Zaporizhzhias la të vdekur dy persona dhe plagosi 12 të tjerë.
“Ky sulm nuk ka asnjë kuptim ushtarak. Është thjesht mizori për të frikësuar njerëzit”, tha Zelensky.