Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp është shprehur se opozita nuk përjashton asnjë variant sa i takon mosnjohjes së Parlamentit të ri.
Teksa u pyet nëse greva e urisë është një variant që PD ka në mendje, Berisha thekson se ai është i gatshëm t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë duke mos përjashtuar asgjë.
“Absolutisht i gatshëm ta udhëheq betejën gjer në fitore dhe me shembullin personal, t’u rikthej shqiptarëve votën e lirë. Nuk përjashtohet asnjë variant. Rëndësi të jashtëzakonshme për ne ka që shqiptarët me ndërgjegje të plotë të binden se kjo ishte një farsë dhe jo ajo siç ua paraqet propaganda kriminale e qeverisë dhe altoparlantëve të saj. Sepse është shumë e rëndë kur sheh pseudo-intelektualë të bëjnë avokatinë e akteve mega-kriminale të karteleve të drogës në studiot televizive dhe të thonë se në xhepat e mi nuk ka paratë e tyre. Ti ndan moralin me ta kur pranon veprën e një karteli, ti nuk ke asnjë dallim moral nga ta. Je i zhveshur, je njësh me krimin. Pra, çfarë do ndodhë? Edhe njëherë, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Cilido që është i gatshëm të luftojë në rrugën e zgjedhur nga PD. Thashë, jo jashtë institucioneve, është i mirëpritur dhe unë një betejë që nuk besoj se nuk do ta fitoja, nuk do e nisja. Jam i bindur se kjo betejë do fitohet”, tha Berisha.
Ndër të tjera Berisha thekson se ka denoncuar të gjitha takimet e fshehta të eksponentëve të krimit me deputetët e PS.
“Ju jeni dëshmitarë, sa herë unë denoncova Sara Milen dhe Suel Çelën. A nuk e denoncova gjatë fushatës disa herë Klodian Danin, ushtar i Suel Çelës, që thërriste në Përrenjas qytetarët të votonin për Sara Milen. Sa herë kam denoncuar takimet e fshehta te Kodra e Kuajve të Ergys Agasit me Suel Çelën dhe më pas me Vangjush Dakon dhe me Edi Ramën. A mundet të kapërdihet? A mundet të mbrohet një krim i tillë i shëmtuar elektoral?”, shprehet Berisha.
Lideri demokrat thekson edhe njëherë se këto zgjedhje sipas tij nuk do të pranohen kurrë.
“Unë edhe njëherë deklaroj se këto zgjedhje kurrë nuk do njihen dhe se ata, të cilët përpiqen t’u shesin shqiptarëve krimin si sukses elektoral, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rreshtojnë veten me kartelet, me Edi Ramën dhe me të gjithë autorët e farsës më të shëmtuar elektorale të majit 2025”, tha Berisha.