Bardhosh Tozaj, babai i 14 vjeçarit me inicialet V. T., që iu gjet një pistolet dhe fishekë ka komentuar sot për mediat shoqërimin e djalit. Ai tha se djali i tij, së bashku me shokët e kanë gjetur armën në një objekt të pabanuar. Sipas tij, adoleshentët kanë krijuar një video me armën për ta shpërndarë në platformën TikTok dhe më pas e kanë fshehur. Babai i 14-vjeçarit tha se se kur ka parë videon, ka kontaktuar me drejtuesit e shkollës 9-vjeçare dhe me punonjësit e policisë.
“Marr shkas nga një video që ishte shpërndarë mbrëmë në rrjetet sociale, sikur djali im ka qarkulluar në shkollën 9-vjeçare ‘Rilindja’ me një pistoletë, ky është një lajm i rremë. Informacionin policisë ia kam dhënë unë, marr shkas nga një video e djalit tim me shokët në mal me pistoletë. Kishte një problem tjetër në shkollë, ku qarkullon një lojë, ku hedhin një shok dhe e presin dhe videot i nxjerrin në TikTok. Është lojë e rrezikshme dhe për këtë arsye, unë isha në një mbledhje me drejtoreshën, mësuesen kujdestare dhe një psikologe.
U thashë që kam parë një video, por nuk isha i sigurt nëse pistoleta ishte e vërtetë apo lodër. Ne u takuam me punonjësit e policisë në shkollë, ata panë videon me djalin dhe kuptuan se nuk ishte pistoletë lodër. Pistoletën e kanë gjetur në një objekt të pabanuar. E kanë marrë, kanë shkuar në mal, kanë bërë video në TikTok dhe më pas e kanë fshehur. Kishin gjetur edhe tre karikatorë. Djali nuk ka pasur probleme më parë, vetëm zënka në shkollë, se 14 vjeç”, tha ai.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela tregoi sot në konferencë për shtyp për rastin e një 14-vjeçari për të cilin tha se nëpërmjet një fotografie të gjetur në celularin e tij dhe pas një pune profesionale me psikolog, prind dhe punonjës social, iu gjet e fshehur në një motomjet pranë një banese një armë zjarri pistoletë me rreth 130 copë fishekë luftarakë. Drejtori tha se vijon puna intensive për të identifikuar personin që ia ka dhënë armën këtij 14-vjeçari, i cili u arrestua për armëmbajtje pa leje.