23 ditë pas vrasjes së një të mituri në afërsi të shkollës së tij, familja e viktimës ende nuk ka marrë asnjë ngushëllim apo kontakt nga prindërit e autorit të dyshuar. Ngjarja e rëndë ka lënë pas dhimbje dhe zemërim në familjen e të ndjerit, ndërsa hetimet vazhdojnë për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe përgjegjësitë që çuan në këtë tragjedi.
Babai i viktimës, në dëshminë e tij për hetuesit, ka shprehur zhgënjimin për mungesën e reagimit nga familja e autorit dhe për mosinformimin e duhur nga shkolla ku studionin të dy të rinjtë. Sipas tij, konflikti mes djalit të tij dhe shokut të klasës kishte filluar disa ditë para ngjarjes, por stafi i shkollës nuk i kishte vënë në dijeni për problemet, çka mund të kishte ndihmuar në parandalimin e përshkallëzimit tragjik.
“Askush nga shkolla nuk na ka kontaktuar për të na treguar se diçka e pazakontë po ndodhte mes tyre,” tha ai. “Vetëm ditën e vrasjes na telefonuan, por më pas nuk patëm asnjë informacion tjetër nga stafi i shkollës.”
Ngjarja ndodhi në një distancë të shkurtër nga institucioni arsimor, duke ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë dhe përgjegjësinë e institucioneve për të mbrojtur të miturit nga konfliktet e dhunshme.
Familja e viktimës kërkon drejtësi dhe nxit reflektim nga autoritetet për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen, ndërsa vazhdon të përballet me dhimbjen e humbjes së djalit të tyre.
I trishtuar dhe i shokuar, babai i Martin Canit, Ëngjëll Cani, tregon se për të gjithë ngjarjen e mësuar kur mbërriti në spitalin e Traumës, duke marrë lajmin e kobshëm se djali i tij kishte ndërruar jetë.
Sot, ai mbajti në duar çantën e shkollës që Martin i vogël kishte me vete ditën e ngjarjes. Hetuesit i kthyen të gjitha sendet e sekuestruara nga oficerët e policisë.
Martin Cani u bë viktimë e një konflikti të dhunshëm mes të miturve pas mbarimit të mësimit për çështje banale që duket se kanë lindur edhe në rrjetet sociale. Gjatë përleshjes, ai u godit me thikë nga një bashkëmoshatar, ndërsa shoku tjetër i tij, gjithashtu 14 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua për trajtim të specializuar në Itali, ndihmuar nga kontributet e shqiptarëve që mblodhën mbi 80 mijë euro për kurimin e tij.
Autori i dyshuar, i cili gjatë përleshjes u vetëplagos me thikë në parakrah, ndodhet në institutin e të miturve në Kavajë, me masën “Arrest në burg”, e cila është ankimuar në Apel me pretendimin se vrasja ndodhi për vetëmbrojtje.
Ngjarja tragjike në hyrje të shkollës ngjalli reagime të shumta për sigurinë e fëmijëve. Prindërit kërkojnë masa të rrepta për mbrojtjen e të miturve, duke organizuar protesta dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit. Në Shqipëri, qeveria ka nisur konsultimet publike për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale, kryesisht Tik-Tok dhe SnapChat për fëmijët, ndërsa një paketë sigurie me kamera në çdo klasë dhe detektor për pajisje metalike, celularë, thika dhe armë, pritet të implementohet së shpejti në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.