1000 0 screenshot 4 40

Albi Mecini, një nga të akuzuarit për transportimin e 21 kilogramëve eksploziv, të çuar këtë të shtunë për gjykim nga Prokuroria e Fierit, është nën hetim edhe për një tjetër çështje të rëndë. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e Fatmir Sulovarit dhe Leonard Theodhorit, një ngjarje tronditëse e ndodhur në Sarandë në prill të vitit 2023.

Dyshimet për përfshirjen e Mecinit u intensifikuan pas arrestimit të tij me dy çanta të mbushura me lëndë plasëse, çka ka ngritur hipoteza për lidhje të drejtpërdrejta me ngjarjen e 9 prillit 2023. Për këtë rast, hetimet po zgjerohen, ndërsa një tjetër person i dyshuar, 26-vjeçari Sebastian Lataj, është shpallur në kërkim. Latajt i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për veprën penale të rrëmbimit.

Hetimet kanë zbuluar prova që lidhin Mecinin me vendin e ngjarjes. Gjatë kërkimeve në një vilë të marrë me qira në Nivicë, policia gjeti tre automjete, ku në njërën prej tyre u përftua një profil ADN-je që përputhej me atë të Mecinit. Kjo provë kyçe ka ndihmuar në përparimin e hetimeve.

Albi Mecini ka qenë më parë i dënuar për ndihmën që i dha në arratisjen nga burgu i Drenovës të disa të dënuarve, mes të cilëve Admir Tafilaj dhe Fran Marashi, në një ngjarje të bujshme në nëntor të vitit 2013. Po ashtu, 30-vjeçari ka precedentë kriminalë edhe në Francë dhe Angli, ku është përfshirë në krime kundër personit dhe trafikim narkotikësh.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të hedhur dritë mbi rolin e Mecinit në rrëmbimin e dy personave dhe për të zbuluar të gjitha detajet që lidhen me veprimtarinë e tij kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights