Kompanitë amerikane në Kinë i frikësohen gjithnjë e më shumë një përkeqësimi të mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve, zbuloi një sondazh i kryer nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë.
Sipas sondazhit, rreth 87% e të pyeturve shprehën pesimizëm për perspektivën e marrëdhënieve midis ekonomive më të mëdha në botë, krahasuar me 73% në sondazhin e fundit të besimit të biznesit.
Gati një e katërta po mendojnë, ose kanë filluar tashmë, të zhvendosin zinxhirët e tyre të furnizimit në vende të tjera.
Ndërsa, 27% e te anketuarve raportuan se kompanitë e tyre kishin riprioritizuar vendet e tjera, një rritje prej 22 pikë përqindjeje krahasuar me rezultatet e sondazhit të kryer në fillim të këtij viti.
Rreth dy të tretat përmendën tensionet dypalëshe dhe faktorë të tjerë rreziku gjeopolitikë si çështjet më të rëndësishme për punonjësit e huaj në Kinë.
Megjithatë, 59% e kompanive amerikane kanë një vlerësim të favorshëm për rimëkëmbjen ekonomike të Kinës nga pandemia Covid-19.
Lidhjet midis Pekinit dhe Uashingtonit janë në gjendjen më të keqe që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1979.
Mbështetja e Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë, pretendimet e saj në Detin e Kinës Jugore, kontrollet e SHBA-së mbi eksportet e teknologjisë së lartë dhe një luftë tregtare e vazhdueshme me tarifa ndëshkuese janë ndër burimet e mosmarrëveshjes.

