Kampet e ngritura në Shëngjin dhe Gjadër kanë shkaktuar reagime të forta nga aktivistë të shoqërisë civile, jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri, të cilët kanë ngritur protesta kundër kushteve të krijuara për emigrantët që ndalohen në brigjet italiane.
Protestuesit e kanë zgjedhur Tiranën si pikën e takimit të tyre, fillimisht duke u grumbulluar para Kryeministrisë dhe më pas para ambasadës italiane, ku ata e kanë cilësuar të paligjshme marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampeve, një marrëveshje që është aktualisht nën shqyrtimin e gjykatave italiane.
Një ditë më parë, protestat u zhvilluan gjithashtu në Shëngjin, ku aktivistët shprehën kundërshtimin e tyre ndaj kampimeve të refugjatëve në Shqipëri. Me pankartat e mbajtura, si “Rama-Meloni, partnerë në krime”, ata kritikuan bashkëpunimin mes dy qeverive dhe theksuan se ky veprim është në kundërshtim me normat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe dinjitetin e emigrantëve.
Për momentin, qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër janë të pabanuara, pasi dy operacione për transportin e emigrantëve janë ndaluar, pasi gjykatat italiane kërkuan që ata të rikthehen në Itali.