Me ftesë të Presidentes së Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë në Parlamentin Europian, në Bruksel, gjatë së cilës u takua me Presidenten Metsola. Gjatë kësaj vizite, znj. Spiropali, shoqërohet nga Bashkë-Kryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asoocimit Shqipëri-Parlamenti Europian dhe Zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, z. Toni Gogu, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Klotilda Bushka, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, z. Eduard Shalsi, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, z. Ferit Hoxha.
Gjatë takimit me Presidenten Roberta Metsola, Kryetarja Spiropali shprehu urimet për rizgjedhjen në termin e dytë si Presidente dhe besimin se, gjatë këtij termi, bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian do të fuqizohet dhe do të kontribuojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Znj. Spiropali vlerësoi qasjen shumë pozitive të PE dhe Presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar në vendimin e Byrosë së PE të korrikut 2024, për një prani të PE në rajon dhe i paraqiti Presidentes kërkesën që vendndodhja e kësaj prezence të jetë në Tiranë.
Shqipëria është jo vetëm vendi avangardë, më i vendosur, me mbështetjen më të madhe popullore, por edhe me shpejtësinë më të madhe drejt anëtarësimit në BE, ndër të gjitha vendet e rajonit. Tirana po shndërrohet në një qendër europiane të rajonit.
Vokacioni europian dhe perëndimor i Shqipërisë është tashmë një realitet i njohur e pranuar botërisht.
Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe çelja e negociatave për grup-kapitujt e parë “Themelorët”, ishte një konfirmim i qëndrueshmërisë së arritjeve, por edhe i vullnetit për avancimin me grup-kapitujt e tjerë.