Prokuroria e Posaçme ka shpallur sot pretencën ish-shoferin e Ardi Veliut, Sokol Idrizajn e familjarët e tij dhe të pandehurve të tjerë të akuzuar për vjedhjen dhe trafikimin e sendeve me vlerë të çmuar nga Franca në Shqipëri.
Dënimi me 12 vite burg është kërkuar për Agustin Mesulin, Altin Dodën, Sokol Idrizajn dhe Elda Idrizaj, burrë e grua. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, për këta persona dënimi ulet në 8 vjet.
Ndërkohë për Florian Bakun dhe Egi Idrizajn, vajza e Sokol Idrizajt, është kërkuar 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi ulet me 6 vite e 8 muaj.
Për Bora Idrizaj, vajza tjetër e Sokol Idrizajt, SPAK ka kërkuar 6 vite heqje lirie dhe me gjykim të shkurtuar zbret në 5 vite dhe kusht për 5 vite. Bora Idrizaj është studente në Francë. Gjithashtu, SPAK ka kërkuar edhe 6 vite burg për Vangjush Kasharen dhe Tomor Barutin, por me gjykim të shkurtuar dënimi shkon në 4 vite dhe pa kusht.
Informacionet e mbërritura nga drejtësia franceze çuan në hetim edhe shoferin personal të Ardi Veliut, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ushtroi kontrolle në banesën e Sokol Idrizaj, për të gjetur sende me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte në këtë veprimtari kriminale. SPAK njoftoi në qershor të vitit të kaluar se nga hetimet paraprake të kryer në territorin francez nga autoritetet gjyqësore të këtij vendi, është mundur të evidentohet veprimtaria kriminale e kryer nga këta shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.