Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, ka dhënë dorëheqje mes hetimeve që gjetën se dhjetëra zyrtarë qeveritarë kishin shmangur shërbimin ushtarak, duke kërkuar që të marrin përfitime për aftësi të kufizuara.
Mobilizimi është një çështje shumë e ndjeshme në Ukrainë, pasi numri i ushtarëve të këtij shteti është varfëruar, teksa lufta e nisur nga Rusia kundër Ukrainës po vazhdon që dy vjet e gjysmë.
Kostin njoftoi për dorëheqjen e tij më 22 tetor përmes Telegramit, pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, ku mori pjesë presidenti Volodymyr Zelensky, i cili tha se Kostin “duhet të marrë përgjegjësi” për situatën e krijuar.
“Mendoj se qëndrimi i presidentit Zelensky është absolutisht i drejtë… dhe po ashtu mendoj se është korrekte që të njoftoj për dorëheqjen time si prokuror i Përgjithshëm”, tha Kostin përmes Telegramit.