Izraeli konfirmoi se udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinwar, ideatori i sulmeve të 7 tetorit në Izrael, që shkaktuan luftën në Gazë, u vra në një operacion ushtarak.
Vdekja e tij shërben si një moment domethënës në operacionin pothuajse njëvjeçar të Izraelit ndaj grupit militant dhe mund të ndërlikojë përpjekjet për të liruar personat që ende mbahen peng në Gazë.
Yahya Sinwari u bë udhëheqës i Hamasit pas vrasjes së drejtuesit të mëparshëm të grupit, Ismail Haniyeh, gjatë një atentati në muazjin korrik në Iran, që mendohet gjerësisht se u realizua nga Izraeli.
Yahya Sinwari lindi në vitin 1962 në një kamp refugjatësh në qytetin Khan Younis të Gazës. Ai u bë ndër anëtarët e parë të Hamasit, kur u themelua organizata në vitin 1987. Në vazhdim ai u bë drejtues i degës së sigurisë të kësaj organizate, që synonte të identifikonte informatorët e Izraelit brenda radhëve të militantëve.
Izraeli e arrestoi atë në fund të viteve 1980 dhe ai pranoi se kishte vrarë 12 bashkëpunëtorë të dyshuar, një rol që i dha atij pseudonimin “Kasapi i Khan Younisit”. Ai u dënua me katër burgime të përjetshme për vepra penale, ndër të tjera edhe për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë. Yahya Sinwari ishte ndër 1 mijë palestinezët e liruar në vitin 2011 nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, në kuadrin e një shkëmbimi për një ushtar izraelit të kapur nga Hamasi në një sulm ndërkufitar.
Kur Yahya Sinwari u rikthye në Gazë, ai ngjiti me shpejtësi shkallët e udhëheqjes së Hamasit, duke krijuar një reputacion si i pamëshirshëm. Yahya Sinwari u bë kreu i Hamasit për Gazën, duke e vendosur atë praktikisht në krye të të gjithë territorit. Së bashku me Ismail Haniyehun, ai punoi për të krijuar lidhjet mes Hamasit dhe Iranit, si dhe grupeve të tjera që Irani mbështet në rajon, duke forcuar ndërkohë aftësitë ushtarake të organizatës së tij.
Është e paqartë se kush do ta zëvendësojë Yahya Sinwarin dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për përpjekjet për armëpushimin, të cilat u ndërprenë në gusht, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.