Një shpërthim me tritol që ndodhi rreth 3 muaj më parë në Elbasan i mori jetën një të riu, duke lënë pas një tragjedi të padrejtë. Enea Thomaraj, 29 vjeç, ndërroi jetë pas një beteje të gjatë në spital për t’u shpëtuar plagëve që kishte marrë nga shpërthimi i datës 14 korrik 2024. Ngjarja ndodhi në banesën e motrave Xhovana dhe Alda Nikolli, në katin e katërt të një pallati në lagjen “Haxhias” të Elbasanit. Enea Thomaraj mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimin që goditi banesën e motrave Nikolli. Edhe pse e ndërmori betejën për t’u shëruar, ai nuk ia doli dot dhe vdiq në Spitalin e Traumës të Tiranës mesnatën e 4 tetorit, pas një periudhe të gjatë 3-mujore kur ishte në kujdes intensiv. Shpërthimi, i cili ndodhi më 14 korrik 2024, për fat të keq, nuk ishte i drejtuar ndaj tij, por një akt i cili përfshiu viktimën tërësisht të pafajshëm. Në kohën e shpërthimit, Enea Thomaraj kishte shkuar të përdorte tualetin dhe, pas shpërthimit të fuqishëm të tritolit, dera e tualetit i ra mbi të. Për këtë ngjarje, dy motrat Xhovana dhe Alda Nikolli, kanë akuzuar Nuredin Dumanin, një person i penduar për drejtësinë, si autorin e vendosjes së tritolit në banesën e tyre. Dumanin e lidhin me një lidhje rivaliteti me partnerin e Xhovanës, Amarildo Nikolli. Në lidhje me këtë shpërthim, Xhovana Nikolli ka bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Nuredin Dumanit, duke e quajtur atë autorin e ngjarjes dhe duke postuar mesazhe provokuese në TikTok: “O Nuredin Dumani, mbaje atë dashnoren tënde, se po ta kapa atë gruan në Itali, o Nuredin Dumani…”. Ndërkohë, SPAK ka nisur hetimet lidhur me shpërthimin, duke e lidhur këtë çështje me hetimet për Nuredin Dumanin. Ky i fundit akuzohet nga motrat Nikolli për lidhje me ngjarjen, ndërkohë që njëra prej tyre, Alda Nikolli, ka pasur një romancë me Dumanin.