Flakadanë, flamuj kuqezi dhe këngë patriotike kanë shoqëruar protestën kombëtare të 28 Nëntorit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Në 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur në kryeqytet, duke ndërthurur simbolikën kombëtare me mesazhet e protestës kundër qeverisë.
Grumbullimi i qytetarëve nisi që në orët e para të mëngjesit, ndërsa në shesh u panë flamuj kuqezi dhe pjesëmarrës të veshur me kostume tradicionale shqiptare. Atmosfera patriotike u shoqërua me thirrje dhe mesazhe kundër qeverisë, ndërsa përdorimi i flakadanëve dhe këngët patriotike i dhanë një tjetër dimension tubimit.
Protesta e sotme është thirrur nga studentë, të rinj dhe qytetarë, të cilët prej muajsh vijojnë të organizojnë tubime kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Organizatorët u kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe shqiptarëve të diasporës, ndërsa në drejtim të Tiranës janë nisur edhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit.
Mesazhet që kanë shoqëruar protestën janë “Shqipëria nuk shitet”, “Kërkojmë nëntorin e tretë” dhe “Shqipërinë nuk e falim”.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie teknike dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në platformën e tyre përfshihen gjithashtu reforma zgjedhore, lufta kundër korrupsionit dhe ndryshime institucionale.
Tubimi i 28 Nëntorit vjen pas gati gjashtë muajsh protestash të njëpasnjëshme në kryeqytet dhe është cilësuar nga organizatorët si një moment i rëndësishëm për zgjerimin e lëvizjes qytetare, duke synuar pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha trevat dhe diaspora.

