Saturday, 28 November 2026
LIVE STREAM
FXMEDIAInformacion dhe aktualitet
AKTUALITET

Shiroka-Pula: Flamuri na bashkon, Kurti: Pavarësia u fitua me sakrifica

28.11.2026 · FX Team

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula dhe kryeministri Albin Kurti kanë përcjellë urimet e tyre për Shqipërinë me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë.

Shiroka-Pula e cilësoi 28 Nëntorin si një ditë që bashkon shqiptarët kudo që jetojnë, ndërsa Kurti solli në vëmendje një pjesë më pak të njohur të historisë së Pavarësisë, duke kujtuar qindra telegrame që u dërguan nga qytete të ndryshme shqiptare, përpara shpalljes së saj në Vlorë.

Në urimin e saj, presidentja Shiroka-Pula kujtoi momentin historik të 28 nëntorit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli Shqipërinë të lirë e të pavarur. Ajo vlerësoi sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e vendit dhe theksoi se flamuri kuqezi vazhdon të bashkojë shqiptarët, pavarësisht kufijve shtetërorë.

“Sot, flamuri me shqiponjën dykrenare valëvitet me krenari kudo ku jetojnë shqiptarët. Ai na bashkon përtej kufijve shtetërorë dhe na kujton rrënjët, gjuhën, historinë dhe identitetin që na lidh përgjithmonë”, shkruan ajo. Në fund të mesazhit, Shiroka-Pula theksoi edhe përgjegjësinë për ta ruajtur këtë trashëgimi dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm.

“Krenari për flamurin që na bashkon. Përgjegjësi për ta ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi te brezat që vijnë. Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë!”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti zgjodhi të kujtojë një tjetër aspekt të shpalljes së Pavarësisë, duke u ndalur te telegramet që u dërguan në qytete të ndryshme shqiptare në nëntorin e vitit 1912. Ai tha se pavarësia, përpara se të shfaqej përmes flamurit të ngritur në Vlorë, ishte përgatitur edhe përmes qindra mesazheve që përcillnin lajme, udhëzime dhe thirrje për bashkim.

Kurti solli në vëmendje telegramin e Ismail Qemalit të 9 nëntorit 1912, i cili njoftonte ardhjen e tij: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipniës âsht sigurue.” Nëntë ditë më vonë, paria e Vlorës u dërgoi një mesazh kryetarëve të bashkive të 30 qyteteve, nga Janina në Shkodër, duke u kërkuar të bashkoheshin dhe të ruanin qetësinë: “I thirrni të gjithë. Gjer sa të mbërrij unë, mbani qetësiën e bashkimin.”

Kurti përshkroi edhe vështirësitë e komunikimit në atë kohë, kur telegramet përcilleshin nga një qytet në tjetrin përmes linjave telegrafike, ndërsa në terren siguroheshin kuaj dhe karroca për të lehtësuar lëvizjen e patriotëve. Ai solli në vëmendje edhe kërcënimet e ushtrisë serbe ndaj popullsisë shqiptare, vetëm pak ditë përpara shpalljes së Pavarësisë.

Në vijim, Kurti kujtoi se flamuri kombëtar ishte ngritur edhe në qytete të tjera përpara 28 Nëntorit, ndërsa Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini dhe Lushnja kishin shpallur më herët pavarësinë. Ai përmendi gjithashtu telegramin e Luigj Gurakuqit, i cili njoftoi gazetat evropiane për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas Kurtit, dokumentet historike tregojnë se pas kësaj ngjarjeje qëndronin jo vetëm figurat e njohura të historisë, por edhe shumë njerëz të zakonshëm që punuan dhe sakrifikuan për këtë ditë.

“Liria dhe pavarësia nuk ranë nga qielli dhe nuk u dhuruan nga asnjë konferencë. Ato u përcollën me këmbëngulje brez pas brezi, fjalë pas fjale, nga ati te e bija, nga nëna te i biri”, shkroi Kurti, duke theksuar se shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights