Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent
Sejko, zhvilloi të hënën takimin përmbyllës me misionin e Fondit Monetar
Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Anke Weber, shefe e Misionit të FMN-së për
Shqipërinë.

 

Në fokus të
takimit ishte analiza e situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend,
projeksionet për të ardhmen, si dhe diskutimi mbi politikat e ndjekura.

 

Gjatë
takimit, Guvernatori Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare pritet të shënojë
rritje në vitin 2023, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar, si
dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Guvernatori theksoi se rritja ekonomike
pritet të udhëhiqet nga rritja e konsumit privat dhe e eksporteve në planin e
kërkesës agregate, dhe nga zgjerimi i sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit
në planin sektorial. Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se
veprimtaria e tij është zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, me tregues të
përfitueshmërisë dhe kapitalizimi në nivele të përshtatshme për të ofruar
mbështetje për stabilitetin financiar të vendit.

 

Shefja e
Misionit të FMN-së u shpreh se sistemi bankar, në përgjithësi, ka treguar
rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, me pozicione të shëndetshme
kapitali dhe likuiditeti. Ajo inkurajoi monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut
të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.

Një tjetër
çështje e diskutuar ishte kursi i këmbimit në vend dhe forcimi i monedhës
kombëtare Lek. Guvernatori u shpreh se Shqipëria ka pasur gjithnjë një regjim
të lirë kursi këmbimi në rrugën e saj të tranzicionit e zhvillimit, regjim i
cili i ka dhënë asaj një instrument të rëndësishëm për përballimin e goditjeve
dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë nuk
targeton një nivel të caktuar të kursit të këmbimit, e megjithatë i kushton një
vëmendje të veçantë ecurisë së tij.

 

Guvernatori
shtoi se tregu valutor ka funksionuar normalisht gjatë dy viteve të fundit,
duke mos shfaqur çrregullime apo fenomene spekulative, çka sugjeron se forcimi
i kursit të këmbimit të lekut është një fenomen i përcaktuar nga ekonomia reale
dhe jo nga tregu financiar.

/Monitor/

 

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights