Nëse jeni nga ata persona që një ditë flini në orët e para të mëngjesit dhe zgjoheni në mesditë, ndërsa ditën tjetër, të rraskapitur, shkoni herët në shtrat dhe zgjoheni pa zbardhur ende dita, atëherë mund të jeni duke vënë seriozisht në rrezik shëndetin tuaj mendor.
Kjo, pasi një studim i ri dhe i gjerë, i realizuar nga studiues të Universitetit të Kalifornisë në San Francisko (UCSF) dhe Universitetit të Kalifornisë në San Diego (UCSD), ka treguar se personat me orare të çrregullta gjumi mund të përjetojnë simptoma më të rënda ankthi, depresioni dhe vetmie.
Rregullsia e gjumit nën lupën e shkencëtarëve
Studimet e mëparshme janë përqendruar kryesisht te kohëzgjatja dhe cilësia e gjumit. Megjithatë, hulumtimi i ri, i publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports”, shqyrtoi rregullsinë e gjumit, pra nëse pjesëmarrësit ndiqnin çdo ditë të njëjtin orar për të fjetur dhe për t’u zgjuar. Për këtë qëllim, studiuesit analizuan të dhënat e regjistruara nga pajisjet inteligjente që mbahen në trup.
“Mbajtja e një orari të rregullt të gjumit dhe zgjimit ndihmon në ruajtjen e sinkronizimit të ritmeve cirkadiane”, shpjegoi autorja kryesore e studimit, dr. Ashley Mason, nga Departamenti i Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në UCSF.
Ajo shtoi se një model i çrregullt i gjumit dhe zgjimit mund të dobësojë sinkronizimin e ritmit cirkadian, gjë që lidhet me depresionin dhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor.
Gjithashtu, një orar i parregullt gjumi ndikon edhe në kohën e ekspozimit ndaj dritës natyrale, oraret e vakteve, aktivitetit fizik dhe ndërveprimit shoqëror. Të gjithë këta faktorë kontribuojnë në rregullimin e ritmit cirkadian, theksoi dr. Mason.
Nga COVID-19 te studimi i gjumit
Në kuadër të këtij studimi, shkencëtarët analizuan të dhënat e afro 23 mijë pjesëmarrësve që ishin përfshirë në projektin kërkimor TemPredict.
Ky projekt nisi në vitin 2020, me synimin për të zbuluar nëse informacioni i mbledhur nga pajisjet inteligjente që mbahen në trup mund të ndihmonte në identifikimin e rasteve me COVID-19, përpara se personat e infektuar të vinin re simptomat e sëmundjes.
Të dhënat e përdorura në studimin TemPredict përfshinin regjistrime të gjumit për një periudhë prej 154 ditësh, duke u mundësuar studiuesve të analizonin modelet e gjumit të pjesëmarrësve përgjatë një kohe të gjatë.
Unaza inteligjente dhe indeksi SRI
Mosha mesatare e pjesëmarrësve ishte 46 vjeç dhe pothuajse 50% e tyre ishin gra. Të gjithë mbanin një unazë inteligjente të pajisur me sensorë, të cilët zbulonin lëvizjet dhe matnin tregues të ndryshëm jetësorë.
Pajisja përdorte këto të dhëna për të përcaktuar se kur pjesëmarrësit flinin gjatë natës dhe kur zgjoheshin në mëngjes.
Në bazë të këtyre matjeve, studiuesit llogaritën për secilin pjesëmarrës Indeksin e Rregullsisë së Gjumit (SRI), në një shkallë nga 0 në 100. Sa më i lartë rezultati, aq më të rregullta ishin oraret e gjumit dhe zgjimit.
Ndërkohë, depresioni, ankthi dhe ndjenja e vetmisë u vlerësuan përmes një pyetësori, të cilin pjesëmarrësit e plotësonin çdo muaj.
Gjumi i çrregullt lidhet me më shumë ankth dhe depresion
Rezultatet treguan se sa më të parregullta të ishin modelet e gjumit, aq më e fortë ishte lidhja me depresionin dhe ankthin.
Konkretisht, analiza zbuloi se pjesëmarrësit që nuk kishin simptoma depresioni ose kishin shumë pak prej tyre, shënonin mesatarisht 84 pikë në indeksin SRI.
Ata me simptoma të lehta depresive kishin një rezultat prej 83 pikësh, personat me simptoma të moderuara shënonin 81 pikë, ndërsa ata me simptoma të rënda kishin një rezultat prej vetëm 75 pikësh.
Sa i përket ankthit, pjesëmarrësit me nivele normale shënonin 84 pikë në indeksin SRI, ndërsa ata me simptoma të rënda ankthi kishin një rezultat prej 79 pikësh.
Paralelisht, personat që përjetonin nivele të larta vetmie shfaqnin gjithashtu një cikël më të çrregullt gjumë-zgjim.
“Një person me rezultat 84 në indeksin SRI fle gjatë natës dhe zgjohet në mëngjes, mesatarisht, me një ndryshim prej më pak se një ore krahasuar me ditën e mëparshme”, shpjegoi autorja e parë e studimit, dr. Severine Soltani, e cila gjatë realizimit të kërkimit ishte pjesë e programit pasuniversitar të Biokompjuterikës dhe Biologjisë së Sistemeve në UCSD.
Ajo shtoi se për një person me rezultat 75 në indeksin SRI, ky ndryshim arrin deri në një orë e gjysmë.
Një marrëdhënie që funksionon në të dyja drejtimet
Dr. Mason theksoi se lidhja mes gjumit të dobët dhe shëndetit të dobët mendor mund të funksionojë në të dyja drejtimet. Kjo do të thotë se gjumi i çrregullt mund të jetë jo vetëm një faktor që ndikon në shëndetin mendor, por edhe një simptomë e problemeve të tij.
Megjithatë, studiuesja iu referua edhe kërkimeve të tjera afatgjata, të cilat sugjerojnë se gjumi i parregullt mund t’i paraprijë shfaqjes së problemeve të shëndetit mendor dhe të kontribuojë në zhvillimin e tyre, duke mos qenë thjesht një pasojë e këtyre problemeve.
Sipas autorëve të studimit, kërkimet e ardhshme duhet të shqyrtojnë nëse përmirësimi i orareve dhe modeleve të gjumit mund të sjellë gjithashtu përmirësim të shëndetit mendor.
