Kryeministrja italiane Giorgia Meloni udhëtoi sot drejt Berlinit, për të marrë pjesë në takimin e Koalicionit të të Vullnetshmëve, ku në fokus është mbështetja për Ukrainën dhe koordinimi i qëndrimit evropian për negociatat e paqes me Rusinë.
Përpara takimit, qeveria italiane rikonfirmoi se Italia nuk do të kontribuojë me dërgimin e trupave ushtarake në territorin ukrainas, në kuadër të një force shumëkombëshe, që mund të krijohet pas përfundimit të luftimeve.
Roma theksoi se pjesëmarrja e saj në përpjekjet diplomatike dhe negociatat për paqen, është e ndarë nga iniciativa për krijimin e një force shumëkombëshe në Ukrainë.
Meloni merr pjesë gjithashtu në formatin E5, që përfshin Italinë, Francën, Gjermaninë, Poloninë dhe Britaninë e Madhe.
Ky format synon të bashkërendojë qëndrimin evropian dhe përfaqësimin e Evropës në procesin e ardhshëm të negociatave.
Takimi në Berlin zhvillohet në një moment të rëndësishëm diplomatik, pas bisedimeve të fundit në Abu Dabi dhe takimit tripalësh mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Shenzhen.
