TIRANË – Investimet afatgjata, arkitektura bashkëkohore, standardet ndërkombëtare dhe transparenca në vlerën e pronës po përcaktojnë modelin e ri të zhvillimit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Në këtë drejtim, Mabetex Group prezantoi projektin e saj Green Coast, një investim që parashikon ndërtimin e 97 vilave dhe krijimin e një kompleksi të integruar me infrastrukturë, hapësira të gjelbra dhe shërbime të dedikuara për banorët.
Projekti u prezantua nga përfaqësues të kompanisë gjatë një konference të posaçme në kuadër të edicionit të 32-të të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ku në fokus ishte zhvillimi i investimeve të reja në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe perspektiva e tregut shqiptar.
Drejtori ekzekutiv i Mabetex Group, Mentor Musaj, theksoi se Shqipëria përfaqëson një treg me potencial për investime afatgjata, ndërsa filozofia e kompanisë mbështetet në projekte të mirëstudiuara, që krijojnë vlerë jo vetëm për investitorët, por edhe për zonat dhe komunitetet ku zhvillohen.
“Ne e shohim Shqipërinë si një vend ku do të investojmë për shumë vite me radhë. Jemi përpjekur që projektet tona të jenë investime të qëndrueshme, me planifikim të kujdesshëm për zonën dhe komunitetin”, u shpreh Musaj., teksa vuri në dukje se kjo kompani operon ne 21 shtete nderkombëtare.
Ai bëri të ditur se portofoli i projekteve të kompanisë përfshin investime në Karaburun, në Kepin e Rodonit dhe në Durrës, me synimin për të zhvilluar komplekse rezidenciale dhe struktura turistike që respektojnë standardet bashkëkohore të ndërtimit, mbrojtjen e mjedisit dhe integrimin me karakteristikat e zonave përkatëse.
Në qendër të prezantimit ishte projekti Green Coast, i cili parashikon ndërtimin e 87 vilave, të konceptuara si pjesë e një hapësire gjithëpërfshirëse, me parkime, korridore të gjelbra, ambiente sportive, argëtuese dhe tregtare, si dhe shërbimet e nevojshme për një standard të lartë jetese.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe konceptit arkitekturor. Vilat do të ndërthurin elemente të arkitekturës mesdhetare, me përdorimin e gurit dhe drurit, ndërsa projekti është hartuar nga studio të njohura arkitekturore europiane, në bashkëpunim me ekspertë vendas.
Një tjetër element që u evidentua gjatë prezantimit ishte modeli i shitjes, transparenca mbi vlerën e pronës dhe shërbimet që shoqërojnë investimin.
Drejtoresha e Departamentit të Shitjeve të Green Coast, Armisa Salijaj, theksoi se diferencën e projektit e bëjnë jo vetëm standardet e ndërtimit, por edhe mënyra se si klienti informohet për investimin dhe për vlerën reale të pronës që zgjedh të blejë.
Sipas saj, transparenca në detajimin e çdo komponenti të investimit i mundëson blerësit të kuptojë plotësisht se çfarë përfshin prona, cilat janë shërbimet dhe çfarë vlere merr në këmbim të investimit të tij.
Salijaj u ndal gjithashtu te fleksibiliteti që kompania synon të ofrojë përmes paketave të ndryshme të blerjes, duke lehtësuar procesin për klientët, pa ndryshuar vlerën reale të pronës.
Ajo nënvizoi se një pjesë e rëndësishme e këtij modeli është edhe administrimi afatgjatë i kompleksit, duke nisur nga menaxhimi i hapësirave të përbashkëta dhe mirëmbajtja, deri te shërbimet e tjera që garantojnë funksionimin e një mjedisi rezidencial të organizuar.
Përtej ndërtimit të një kompleksi banimi, projekti synon të krijojë një ekosistem të integruar, ku arkitektura, infrastruktura, shërbimet dhe administrimi bashkëveprojnë për të garantuar cilësi jetese dhe ruajtje të vlerës së pronës në kohë.
Pjesëmarrja e Mabetex Group në prezantimin e projekteve të reja në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës sjell në vëmendje potencialin e tregut shqiptar për investime të reja, si dhe rëndësinë e modeleve të zhvillimit që ndërthurin kapitalin, ekspertizën ndërkombëtare dhe planifikimin e qëndrueshëm.
