Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka kërkuar që vëmendja e institucioneve të përqendrohet në hartimin e strategjisë që do t’u shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e apelit në Hagë.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu bëri të ditur se ka kërkuar seriozitet e profesionalizëm në këtë proces, teksa theksoi se tani komisioni për legjislacion ka katër javë kohë.
“Qeveria e Kosovës ka formuar grupin punues për hartimin e strategjisë dhe unë gjithnjë kam kërkuar që e gjithë vëmendja të zhvendoset pikërisht te kjo strategji, që do të duhej të përpilohej në atë mënyrë që t’i shërbejë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shkallën e Apelit. Unë e kam adresuar kthimin e ligjit te Komisioni për Legjislacion, i cili ka katër javë kohë”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se ekzistojnë dy interpretime juridike lidhur me procedurat që duhet të ndiqen pas kthimit të ligjit, duke theksuar se një grup juristësh vlerëson se Kuvendi mund vetëm ta votojë ose të mos e votojë atë, ndërsa grupi tjetër konsideron se mund të bëhen edhe ndryshime.
