Një 38-vjeçar është vënë në pranga pas deportimit nga Greqia, pasi akuzohet se ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, e cila humbi jetën si pasojë e plagëve të marra në vitin 2022.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për Fatjon Haxhiu, banues në Manzë, ndaj të cilit Gjykata e Durrësit kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” më 31 mars 2022, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Ngjarja ka ndodhur më 18 mars 2022, kur 38-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Për shkak të dëmtimeve të marra, gruaja ndërroi jetë 10 ditë më vonë.
Pas deportimit të tij nga Greqia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Durrës kanë ekzekutuar masën e sigurisë.
Njoftimi i Policisë:
Dhunoi fizikisht me pasojë vdekjen, bashkëshorten e tij, në vitin 2022, vihet në pranga 38-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Durrës ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin F. H., 38 vjeç, banues në Manzë, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më datë 31.03.2022, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Shtetasi F. H. akuzohet se më datë 18.03.2022, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, e cila për shkak të demtimeve ka humbur jetën pas 10 ditësh.
Veprimet procedurale për ndalimin e këtij shtetasi u kryen pas deportimit të tij nga Greqia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
