📻 RADIO ISLAME
🔊
⚙️

Accessibility Settings

✕
🌙 Dark
⚫ Contrast
🔄 Invert
⚪ Gray
📖 Readable
🔤 Dyslexia
A+
A-
Line +
Line -
Spacing +
Spacing -
Zoom +
Zoom -
🖼️ Img
🔗 Links
H Titles
🛑 Anim
🔇 Mute
🐢 Cursor
🔊 Read
Collage 4 1920x1080 1 4 800x450

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka reaguar për ngjarjet e fundit në vend, duke theksuar papranueshmërinë e dhunës gjatë protestave, por edhe domosdoshmërinë që institucionet të kenë kapacitetet e duhura për të dëgjuar dhe trajtuar pakënaqësitë e qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, ambasadorja u shpreh se protestat e dhunshme nuk kanë vend në demokraci, ndërsa theksoi se qytetarët duhet t’i adresojnë shqetësimet e tyre përmes institucioneve demokratike.

Sofia Moreira de Sousa thotë: “Në Shqipëri dhe në disa vende të Europës po shohim protesta të dhunshme. Kjo nuk mund të ndodhë në demokraci dhe nuk duhet të ndodhë në vendet ku ne mbrojmë demokracinë. Nuk duhet të ketë dhunë në rrugë. Pakënaqësitë e qytetarëve duhet të adresohen në institucionet demokratike.

Nga ana tjetër, institucionet duhet të kenë kapacitetet e duhura për të treguar se mund t’i trajtojnë pakënaqësitë e qytetarëve. Pra, kjo është një punë e madhe që duhet të bëjnë politikanët dhe nëpunësit civilë, për të forcuar kapacitetet e institucioneve në adresimin e këtyre pakënaqësive. Ne nuk e shohim këtë te dhuna që po përshkallëzohet.

Duhet të angazhohemi me rininë, shoqërinë civile dhe çdo qytetar, për t’u shpjeguar rregullat e lojës në demokraci. Këto rregulla nuk kanë të bëjnë me shkatërrimin e pasurisë publike dhe private, por me forcimin e ligjeve dhe rregullave që mundësojnë adresimin e pakënaqësive. Ka vende të caktuara ku njerëzit duhet të luftojnë për atë që besojnë dhe këto vende janë institucionet”.

Edhe bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, Antonio Mazzeo, u ndal te situata e ditëve të fundit në vend, duke e cilësuar dhunën si të papranueshme.

Ai theksoi se liria e shprehjes dhe e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore janë vlera themelore të demokracisë europiane: “Dua të prek një çështje delikate që ka të bëjë me tensionet e fundit të regjistruara në Tiranë. Bashkohem me shqetësimet e shprehura nga presidenti i Parlamentit Europian. Në çdo vend, dhuna nuk duhet të jetë një instrument i pranueshëm për t’u shprehur politikisht në një shoqëri demokratike. Liria e shprehjes dhe e drejta për të protestuar pa dhunë duhet të garantohen, sepse janë vlera dhe të drejta themelore europiane.

Protesta paqësore është një element kryesor i demokracisë, përmes së cilës qytetarët mund të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. Nisur nga kjo, përfitoj nga rasti t’u bëj apel të gjitha institucioneve dhe protestuesve që të sillen me përgjegjësi dhe të shmangin çdo përshkallëzim, i cili është absolutisht i dëmshëm.

Unë mendoj se një demokraci e fortë nuk matet vetëm me mundësinë për të garantuar rendin publik, por edhe me mundësinë që kanë institucionet për të garantuar pluralizmin politik, përfaqësimin demokratik dhe besimin e qytetarëve”.

Gjatë fjalës së tij, Mazzeo preku edhe çështje të tjera të rëndësishme, si reforma territoriale dhe paraburgimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sa i përket reformës territoriale, ai theksoi se ajo duhet të bazohet te funksionet dhe detyrat e pushtetit vendor dhe jo te interesat elektorale. Sipas tij, çdo proces reformimi duhet të respektojë standardet e Bashkimit Europian dhe të garantojë përfshirjen e minoriteteve në jetën publike.

“Disa javë më parë, Komiteti Europian i Rajoneve nënvizoi qartë se reforma territoriale duhet të ketë në bazë funksionet dhe detyrat e pushtetit vendor dhe jo interesat elektorale. Këtu nuk kemi të bëjmë me zgjedhjet, por me jetën e qytetarëve. Çdo proces apo reformë duhet të respektojë standardet e BE-së. Duhet të garantohet përfshirja e minoriteteve dhe e drejta e tyre për t’u përfshirë në jetën publike.

Tani u takon qytetarëve dhe institucioneve të vëzhgojnë pasojat e kësaj reforme dhe të vlerësojnë konkretisht efektet e saj.

Raporti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës nënvizon, në disa aspekte të reformës territoriale, një tendencë jo të duhur të centralizimit të pushteteve, pamjaftueshmërinë e buxheteve të përcaktuara për pushtetin vendor, mungesën e burimeve njerëzore dhe mungesën e gjithëpërfshirjes në mekanizmat e konsultimit. Në këto aspekte duhet të punohet”.

Një tjetër çështje e trajtuar nga zyrtari europian ishte ajo e Erion Veliajt. Mazzeo theksoi rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Ai iu referua edhe raportit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili evidenton praktikën e zgjatjes së paraburgimit për kryetarët e bashkive.

“Raporti i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës flet për disa çështje, siç është praktika e tejzgjatur e paraburgimit për kryetarët e bashkive, duke iu referuar gjithashtu edhe vëzhgimeve të Komisionit të Venecias.

Ne, si përfaqësues të autonomisë vendore, e vërejmë me shumë kujdes atë që po ndodh me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke përsëritur rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të pavarësisë së gjyqësorit”.

Deklaratat e zyrtarëve europianë u bënë gjatë takimit të katërt të Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Shqipëri, ku u diskutua mbi rolin e pushtetit vendor në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

🔴 LIVE TV
Verified by MonsterInsights