Partia Demokratike mblodhi sot grupin parlamentar ku në fjalën para deputetëve kryetari i PD-së, Sali Berisha falënderoi deputetët, strukturat e PD-së, studentët dhe mbështetësit e protestës, ndërsa dënoi atë që e cilësoi si dhunë të ushtruar nga policia ndaj protestuesve.
Berisha tha se “asnjë protestues i dhunuar, asnjë prej tyre nuk ka qenë absolutisht në asnjë akt dhune”.
Duke iu referuar protestave të zhvilluara në fillim të qershorit të njohur si “Revolucioni Flamingo”, Berisha tha se “në respekt të karakterit të saj qytetar, PD përcaktoi disa parime qëndrimi ndaj kësaj proteste” që ishte “asnjë përpjekje për t’i marrë drejtimin apo për ta përçarë”.
Kreu i PD-së tha se kryeministri Edi Rama dhe Belinda Balluku kanë ndikuar në zhvillimet e protestës qytetare, duke shtuar se organizatorët e mikrofonit lejonin të flisnin vetëm personat që përdornin sloganin “Rama në burg, Berisha në burg”.
Sipas tij, “nga qershori gjer sot, teza më antishqiptare, më antidemokratike ishte teza se dy partitë janë njëlloj”.
Berisha tha se kjo përdoret për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë për korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike.
“Por nuk ka mashtrim më të madh, më të turpshëm se sa të shtrosh këtë tezë. Së pari, është forma më e lartë e korrupsionit. Forma më e lartë e korrupsionit është kur fjala apo fjalia shpreh të kundërtën e asaj që është e vërtetë. Dhe kur krahason të pakrahasueshmet. Kjo është në distancë forma më e lartë e korrupsionit të gjuhës në radhë të parë”, tha ai.
Sipas tij, krahasimi mes qeverisë dhe opozitës synon të dobësojë shpresën e qytetarëve dhe besimin te vota, ndërsa ai mbrojti alternativën e PD-së dhe rolin e saj si forcë opozitare.
“A mund të krahasohet me atë që vjedh e shpërdoron miliarda euro? A mund të krahasohet me atë që vjedh e shpërdoron miliona e miliona prona publike me metra katrorë? Si mund të krahasohet? Me këtë krahasim këta duan të vrasin përgjegjësinë. Të asgjësojnë përgjegjësinë. Duan të mbulojnë skandalet, krimin me gabime, me të meta, me defekte, që janë të pashmangshme.
“Ka një problem tjetër madhor themelor. Këta duan të vrasin shpresën. Këta janë vrasësit e shpresës. Këta janë gjahtarët e shpresave të shqiptarëve. Këta janë llumi i llumit të shoqërisë shqiptare, armiqtë më të egër të qenies shqiptare”, tha Berisha.
